Haradinaj: Marrëdhëniet me SHBA nuk preken nga tarifat

  • Leonat Shehu

Your browser doesn’t support HTML5

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha të mërkurën se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara nuk rrezikohen për shkak të tarifave, të cilat sipas tij janë vendosur kundër Serbisë dhe Rusisë.

Your browser doesn’t support HTML5

Haradinaj për tarifat ndaj Serbisë dhe Rusisë

Duke komentuar kërkesat amerikane për pezullimin e tarifave ndaj mallrave serbe në mënyrë që t’u hapet rrugë bisedimeve me Serbinë, ai ritheksoi qëndrimin se tarifat janë të lidhura me marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Sot e heqim nëse ka marrëveshje për njohje, pra jo në shkurt por mundemi të mos e heqim asnjëherë derisa Serbia nuk është e gatshme të na njohë. Kjo nuk ka të bëjë me Amerikën, ka të bëjë me Rusinë dhe Serbinë. Ne jemi në kufi me Serbinë e Rusinë. Fytyra e Serbisë e cila është e shihni nesër me (Vladimir) Putinin në Beograd, fytyra jonë e dini cila është, pra mos u mërzitni për këto”,tha kryeministri Haradinaj.

E vendosur me 21 nëntor të vitit që lamë pas, tarifa nxiti reagimin e Bashkimit Evropian por edhe thirrjet e Shteteve të Bashkuara për heqjen e saj, ndërsa Beogradi kushtëzon vazhdimin e bisedimeve me anulimin e tarifave.

Serbia vazhdon të llogarisë në mbështetjen e Rusisë për Kosovën, çështje kjo që pritet të jetë temë e diskutimeve të enjten kur presidenti rus, Vladimir Putin do të qëndrojë në Serbi.

Serbia një aleate tradicionale e Rusisë, synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por ecën në vijën e ngushtë ndërmjet Rusisë dhe perëndimit dhe ka refuzuar t'u bashkohet sanksioneve euro-amerikane kundër Moskës për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë.

Bashkimi Evropian, i cili në pranverë do të ketë zgjedhje të brendshme, është vënë në përpjekje për përshpejtuar procesin e arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që është edhe kusht për integrimin e tyre.

Autoritetet në Kosovë thonë se janë të gatshme për një marrëveshje normalizimi me Serbinë e cila do të sillte paqe në rajon. Tash për tash është e paqartë se kur mund të pritet vazhdimi i bisedimeve që kanë ngecur për shkak të tensioneve ndërmjet të dyja vendeve.