Ultra nacionalisti serb, Vojislav Sheshel, tha të shtunën në Beograd se Serbia nuk duhet të hyjë në Bashkimin Evropian meqë aty janë armiqtë e saj më të mëdhenj, që e tashmë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Your browser doesn’t support HTML5
Ai u kthye të mërkurën në Beograd pasi Gjykata ndërkombëtare për krime lufte në Hagë, e liroi atë përkohësisht, për shkak të gjendjes shëndetësore. Gjykata e Kombeve të Bashkuara i dha mundësi atij të kërkojë trajtim mjekësor në Serbi, me kusht që të mos ndërhyjë tek viktimat apo dëshmitarët dhe që të kthehet në gjykatë kurdo që kjo kërkohet prej saj. Mjekët serbë që e kontrolluan atë kohë më parë thanë se ai vuan nga kanceri.
Mijëra mbështetës morën pjesë në tubimin e sotëm të udhëheqësit të Partisë Radikale serbe, i cili që nga kthimi përshëndeti vrasjen e kryeministrit reformist serb Zoran Gjingjiç në vitin 2003, ritheksoi besimin e tij në ideologjinë e krijimit të Serbisë së Madhe që çoi në luftërat në Kroaci, Bosnjë e Kosovë dhe u zotua për të rrezuar nga pushteti presidentin e Serbisë Tomislav Nikoliç dhe kryeministrin serb Aleksandër Vuçiç, të cilët ishin zyrtarë të lartë të partisë së tij para se të ndaheshin e të formonin Partinë Përparimtare serbe në vitin 2008. Duke i cilësuar si tradhtar ai i akuzoi ata për lojë të dyfishtë.
“Nga njëra anë aktrojnë se janë të përkushtuar ndaj Rusisë, ndërsa nga ana tjetër nxitojnë për në Bashkimin Evropian”, tha ai duke theksuar se askush që ia do të mirën popullit serb, nuk do që Serbia të jetë anëtare e Bashkimit Evropian, sepse, sipas tij, atje janë të përqendruar armiqtë e Serbisë.
“Nga 28 vende anëtare të Bashkimit Evropian, 23 e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, u tha ai të mbledhurave që mes tjerash mbanin në duar fotografitë e tij të dhe të presidentit rus, Vladimir Putin.
Vojislav Sheshel, 60 vjeçar, ndodhej në Hagë që nga vitit 2003 ku është gjykuar për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftërave të viteve nëntëdhjetë. Lirimi i tij zemëroi viktimat e luftërave në ish hapësirat e Jugosllavisë që kujtojnë mizoritë e forcave serbe.
Vojislav Sheshel dhe Partia e tij Radikale ishin pjesë e qeverisë serbe gjatë luftës në Kosovë. Pak para fillimit të bombardimeve të NATO-s ndaj forcave serbe në pranverën e vitit 1999, ai paralajmëroi fushatën hakmarrëse ndaj shqiptarëve.
“Nëse ndodhë bombardimi nga pakti NATO, nëse ndodhë agresioni amerikan, ne serbët do të pësojmë, por shqiptarë në Kosovë më nuk do të ketë”, kishte deklaruar atëbotë.
Mbi 800 mijë shqiptarë u dëbuan nga Kosova gjatë luftës që la pas vetes mbi 10 mijë të vrarë e mbi 5 mijë të zhdukur. Lufta mori fund me ndërhyrjen e NATO-s dhe në shkurt të vitit 2008, Kosova shpalli pavarësinë e saj që është njohur nga mbi 100 vende të botës.
Serbia vazhdon ta kundërshtojë pavarësinë e Kosovës por është përfshirë në një proces të normalizimit të marrëdhënieve në përpjekje për t’u integruar në Bashkimin Evropian, proces që po udhëhiqet nga ish bashkëpunëtorët e radikalit Sheshel, i cili sot u zotua sërish se nuk do të kthehet më vullnetarisht në Gjykatën e Hagës.