Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i bëri thirrje të mërkurën Serbisë që të dyja palët të heqin nga përdorimi targat e përkohshme të makinave dhe të hapet rruga për lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Your browser doesn’t support HTML5
Ai i bëri këto komente në mbledhjen e qeverisë dy ditë pasi autoritetet në Kosovë filluan zbatimin e masës së reciprocitetit me Serbinë për targat e makinave. Që nga e hëna, makinat që hyjë nga Serbia në Kosovë duhet të ndërrojnë targat e tyre me ato të përkohshme, njësoj siç veprohet me makinat nga Kosova që hyjnë në Serbi tash e dhjetë vjet me radhë.
“Edhe oferta jonë publike, besoj që është tejet praktike përveç se gjeneroze ,e kjo është le t’i heqim tabelat e përkohshme edhe Serbia edhe Kosova dhe në këtë mënyrë qytetarët le të qarkullojnë sa më shumë e me sa më pak vonesa”, tha kryeministri Kurti, sipas të cilit Serbia është duke refuzuar bisedimet për këtë çështje.
Lexoni edhe këtë Kosova fillon zbatimin e reciprocitetit me Serbinë për targat e makinave“Sepse qartazi ata kanë dhënë përgjigje negative për bisedimet me neve. Ne besojmë se Brukseli është vendi ku duhet të zhvillohen takimet dhe bisedimet dhe natyrisht, si gjithmonë, jemi të gatshëm, të hapur e të interesuar, sepse është interesi i qytetarëve për një gjë të tillë”, tha kryeministri Kurti.
Qeveria e Kosovës dërgoi të hënën në vendkalimet kufitare me Serbinë njësitë e posaçme të policisë për të zbatuar vendimin mbi targat, duke nxitur zemërimin e Beogradit.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, kërkoi të martën nga autoritetet e Kosovës tërheqjen e njësive të posaçme të policisë nga veriu i Kosovës dhe heqjen dorë nga vendimi për masën e reciprocitetit për targat e makinave, ndërsa paralajmëroi kundërmasa nëse kjo nuk ndodhë.
Lexoni edhe këtë Rrugë të bllokuara në veriun e Kosovës – diplomatët perëndimorë në përpjekje për të ulur tensionetPër të tretën ditë me radhë grupe qytetarësh serb vazhdojnë të mbajnë të bllokuar lëvizjen për në vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Jarinjë dhe Bërnjak, në veriun e banuar me shumicë serbe, në shenjë proteste kundër vendimit të qeverisë së Kosovës.
“Vendimi për targat është i drejtë dhe garanton të drejtën e lëvizjes së lirë, përfshirë edhe qytetarëve serbë. Pengesat janë duke u bërë me disa kamionë pronë komunale dhe kjo është keqpërdorim i aseteve publike. Ftoj grupin e organizuar të qytetarëve serbë, sepse ata kanë bllokuar veten e tyre dhe lëvizjen. Për incidente dhe eskalim nuk kanë interes as qytetarët e as shteti ynë, nuk kanë interes as serbët e Kosovës e as Serbia, duket se interes ka vetëm një individ, presidenti i Serbisë”, tha kryeministri Kurti.
Çështja e targave ishte pjesë e marrëveshjeve të arritura në Bruksel në kuadër të bisedimeve Kosovë – Serbi të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Sipas saj banorët e Kosovës duhet të përdorin targat 'KS' (Kosovë) ose 'RKS' (Republika e Kosovës) dhe të heqin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës lëshoheshin nga ministria e Brendshme e Serbisë.
Autoritetet në Kosovë thanë se 15 shtatori i vitit 2021 ishte afati i fundit kur përfundimisht duhej të përmbyllej marrëveshja e arritur në Bruksel dhe të ndalohej lëvizja e makinave me çfarëdo tabelash përveç atyre me shenjën RKS. Sipas marrëveshjes, deri më 15 shtator lejohej hyrja në Serbi e makinave me targat që mbanin shenjën KS.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara u bënë thirrje të dyja palëve që “të ulin tensionet menjëherë dhe pa vonesë” dhe që çështjet e diskutueshme ndërmjet tyre t’i zgjidhin përmes procesit të bisedimeve në Bruksel.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara u bënë thirrje të dyja palëve që “të ulin tensionet menjëherë dhe pa vonesë” dhe që çështjet e diskutueshme ndërmjet tyre t’i zgjidhin përmes procesit të bisedimeve në Bruksel.
Të mërkurën mbrëma, shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, bëri thirrje për ulje të menjëhershme të tensioneve në veriun e Kosovës, duke nënvizuar se çdo provokim ose veprim i njëanshëm duhet të shmanget pasi do të ishte drejtpërdrejt kundër interesave të njerëzve të rajonit.
“Ne u bëjmë thirrje udhëheqësve në Beograd dhe në Prishtinë të kenë një qasje të përgjegjshme dhe të punojnë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të shmangur ndonjë përshkallëzim të mëtejshëm, për të rivendosur një mjedis paqësor dhe për të punuar për një zgjidhje të zbatueshme. Është në interesin e të gjithëve të kërkojnë një rrugë përpara që mundëson lirinë e lëvizjes dhe që përmirëson jetën e përditshme të qytetarëve”, thuhet në deklaratën e zotit Borrell.
Dialogu i lehtësuar nga BE-ja është platforma e vetme për të trajtuar dhe zgjidhur të gjitha çështjet e hapura, “dhe ne i nxisim fuqimisht të dyja palët që ta përdorin plotësisht atë”, thuhet më tej në deklaratë në të cilën theksohet se “të gjitha marrëveshjet e arritura në procesin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja që nga fillimi i tij në vitin 2011 mbeten të vlefshme dhe detyruese për të dyja palët. Marrëveshjet e kaluara paraqesin një element të rëndësishëm për normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. BE-ja u bën thirrje Kosovës dhe Serbisë që të respektojnë dhe zbatojnë plotësisht të gjitha detyrimet e tyre të dialogut pa asnjë vonesë të mëtejshme”, përfundon deklarata e zotit Borrell.