Kosova dhe Serbia pa plan për zbatimin e marrëveshjes

Palët dështuan të përmbushin parashikimet për hartimin e planit. Marrëveshja mbështetet edhe nga parlamenti serb.
Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë përfunduan pa marrëveshje diskutimet dyditëshe në Bruksel mbi planin për zbatimin e marrëveshjes së arritur javën e kaluar, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Your browser doesn’t support HTML5

Bisedimet Prishtinë Beograd



Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, i cili udhëhiqte delegacionin e Prishtinës, tha se Kosova e ka pranuar një projekt të planit të hartuar nga zyra e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ndërsa pala serbe ka kërkuar edhe pak kohë për këshillime rreth tij.

Kam ndjenjën se ata duan të fitojnë në kohë, mbase për shkak të disa zhvillimeve në Beograd”, tha zoti Kuçi duke nënvizuar se mbase duhet pak trysni pozitive mbi Serbinë për të përshpejtuar procesin, i cili sipas marrëveshjes, do të duhej të përmbyllej sot.

Ndërsa Maja Kocijancic, zëdhënëse e zonjës Ashton tha se “delegacionet kanë zhvilluar diskutime pozitive e konstruktive dhe kanë përgatitur një koncept të planit të zbatimit që kërkon këshillime shtesë, prandaj puna do të vazhdojë”.

Por ajo nuk tha se kur mund të pritet vazhdimi i debateve.

Plani, pritet të nënshkruhet nga kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, të cilët pritet të nënshkruajnë edhe formalisht marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve.

Të premten e kaluar Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje që u siguron serbëve në komunat veriore përgjegjësi në fushën e policisë dhe gjyqësisë.

Marrëveshja u miratua edhe në parlamentin serb, pas një debati që zgjati gjatë tërë ditës së premte. 173 deputetë votuan për, 24 kundër, një ishte i paanshëm dhe pesë syresh nuk votuan fare.

Kryeministri serb, Ivica Daçiç, u tha deputetëve se refuzimi i marrëveshjes do të shndërronte Serbinë në Korenë veriore të Evropës.

Marrëveshja që ndodhet para jush është më e shumta që Serbia ka mundur të arrijë në këtë kohë, sikundër edhe marrëveshjet tjera që janë arritur në procesin e bisedimeve”, tha kryeministri serb

Ai tha se Serbia ka pasur disa raste të humbura dhe tash është koha kur duhet bërë përpjekje që në rrugë të tjera të mbrohen interesat e saj kombëtare dhe shtetërore.

Ndërkohë, qindra veta po protestonin para ndërtesës së parlamentit serb duke kundërshtuar marrëveshjen. Protestuesit i akuzuan udhëheqësit serb se siç thuhej po e shesin Kosovën.

Kundër marrëveshjes janë shprehur edhe përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës, të cilët thonë se ajo është e papranueshme dhe e pazbatueshme për ta.

Zëvendëskryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiç, i porositi të enjten ata se qeveria e Serbisë mund të bjerë, por nuk do të bjerë marrëveshja e arritur me Kosovën në Bruksel, sepse sipas tij, ai ishte vendim që e çon Serbinë drejt ardhmërisë.

Marrëveshja është mbështetur nga diplomacia euro perëndimore e cila e sheh atë si një hap të të dyja vendeve drejt integrimeve evropiane.

Të hënën, Komisioni Evropian miratoi propozimin që Serbisë t’i jepet data e fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës ajo e negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit.