Arrestohet deputeti Ukë Rugova

Zoti Rugova, i biri i ish presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova dyshohet për përfshirje në krim të organizuar.
Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, bëri të ditur se ka arrestuar deputetin e Parlamentit të Kosovës, Ukë Rugova dhe i ka caktuar masën e ndalimit 48 orësh nën dyshimet për përfshirje në krim të organizuar.

Zoti Ukë Rugova është i biri i presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Arrestimi i tij pasoi një operacion bastisjesh në shtëpinë e zotit Rugova në Prishtinë, shtëpi që për shumë vjet kishte shërbyer si rezidencë e ish presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova që udhëhoqi luftën politike për pavarësinë e Kosovës.

Bastisje janë kryer edhe në disa mjedise tjera.


Zyrtarët e EULEX-it nuk dhanë dhënë ende shumë hollësi rreth operacionit të sotëm që sipas tyre po kryhet ndaj “një grupi të pandehurish të cilët janë të dyshuar të jenë përfshirë në një grup kriminal që dyshohen për kryerjen e veprave penale të krimit të organizuar, mashtrimit dhe ushtrimit të ndikimit”.

Në një njoftim të orëve të pasdites, EULEX-i tha se një prokuror ndërkombëtar udhëhoqi një operacion të arrestimit dhe të bastisjes kundër dhjetë të pandehurve, ndërsa në mesin e veprimeve për të cilat dyshohen ata theksohet vepra e siç thuhet, mashtrimit kundër ambasadës italiane në Prishtinë, me të cilën është duke u bashkëpunuar ngushtë në kuadër të hetimeve.

Avokati i zotit Rugova, Bajram Tmava tha se në urdhrin e bastisjeve thuhet se ai dyshohet për krim të organizuar, mashtrim, ushtrim ndikimi dhe keqpërdorim të autorizimeve. Por, ndonëse nuk janë dhënë hollësi rreth natyrës së veprave për të cilat dyshohet zoti Rugova, ai tha se klienti i tij nuk ndjehet fajtor.

Ukë Rugova, në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2010 bashkë me ish kryeministrin e shqiptarëve në mërgim, Bujar Bukoshi dhe disa veprimtarë të tjerë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, themeloi listën me emrin e ish presidentit Rugova.

Me këtë listë mori pjesë në zgjedhje në kuadër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa pas tyre, ai ju bashkua koalicionit qeverisës në Kosovë të udhëhequr nga kryeministri Hashim Thaçi.