Kosovë: Dy të akuzuara për pjesëmarrje në grup terrorist

Prokuroria e Posaçme e Kosovës ngriti akuzë kundër dy grave nën dyshimet për veprën penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.

Sipas prokurorisë, “të pandehurat me dashje kanë marrë pjesë në veprimtarinë e organizatës terroriste, në atë mënyrë që kanë shkuar në Siri dhe i janë bashkangjitur organizatës terroriste, militante, ekstremiste “ISIS” (Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë), duke e përkrahur këtë organizatë dhe veprimtaritë e saj”.

Të dyja gratë janë identifikuar vetëm me nistoret e tyre L.I. dhe A.A.

Në njoftim thuhet se “e dyshuara A.A., me vëllanë e bashkëshortit të saj, përmes Aeroportit të Tiranës “Nënë Tereza” kanë shkuar së pari në Stamboll, e pastaj në Siri. Secila duke e përdorur shumën e rregullt mujore të të hollave nga Shteti Islamik u kanë ofruar shërbime logjistike ushtarëve - anëtarëve meshkuj të familjes, ashtu që e pandehura L.I., pas vrasjes së bashkëshortit të parë A.U., është martuar me K.K., nga Shkupi, e pas vrasjes së tij me N.H. nga Pogradeci, të cilët po ashtu aktivisht kanë luftuar, e gjithë kohën duke e ndërruar vendbanimin varësisht nga ndryshimi i territorit të Shtetit Islamik”.

Pas disfatës së ISIS-it, thuhet në njoftim, “ato janë detyruar që të dorëzohen te forcat Kurde të cilët pastaj me ndihmën e ushtrisë amerikane i kanë deportuar në Kosovë”.

Në muajin prill të vitit të kaluar, 110 persona u kthyen në Kosovë nga zonat e konfliktit në Lindjen e Mesme në një operacion të qeverisë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Prokuroria e Posaçme e Kosovës deri tash ka ngritur aktakuza ndaj të paktën 24 prej grave të kthyera dhe të paktën ndaj tri prej tyre gjykatat kanë shqiptuar dënime me kusht.

Në vitin 2015 parlamenti i Kosovës miratoi ligjin që ndalon bashkimin në luftëra të huaja dhe parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie.

Që nga viti 2012 afro 400 qytetarë të Kosovës ishin përfshirë në luftërat në Siri e Irak dhe një pjesë e tyre luftuan përkrah grupit militant Shteti Islamik.

Disa dhjetëra qytetarë të Kosovës përfshirë gra e fëmijë vazhdojnë të mbeten në zonat e konfliktit.