Prokuroria e Posaçme e Kosovës ngriti aktakuzë të premten kundër nëntëmbëdhjetë personave, në mesin e të cilëve edhe ish ministra nën dyshimet për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Të gjithë këta akuzohen për përfshirjen e katër hidrocentraleve në një kontratë për shitjen e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike. Në vitin 2012 autoritetet vendosën që ky rrjet t’i shitet kompanisë turke “Limak & Calik” me një vlerë prej 26.3 milionë eurosh.
Lexoni edhe këtë Përplasje mes policisë e protestuesve në PrishtinëNë një njoftim të kësaj prokurorie në të cilin të akuzuarit indentifikohen vetëm më nistoret e tyre, thuhet se “të pandehurit B.B., kryesues i Komitetit Qeveritar për Privatizim, si dhe M.K., N.R., D.G. dhe L.F. anëtar të po këtij komiteti, në cilësi të personave zyrtar, me qëllim që t’i mundësojnë çfarëdo dobie pasurore personit tjetër dhe që t’i shkaktojnë dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta, kanë vepruar në kundërshtim me detyrat dhe të drejtat e tyre pasi që me datë 08.05.2013, njëzëri kanë votuar që hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike si: hidrocentrali i Lumbardhit, hidrocentrali në Burim, Hidrocentrali i Radavcit dhe hidrocentrali “Dikance”, të transferohen te Kompania e Kosovës për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike dhe më pas të privatizohen nga “Limak-Calik”.
Në aktakuzë përfshihen deputetja e parlamentit të Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, si dhe ish-ministrat Besim Beqaj, Dardan Gashi e Nenad Rashiç, atëbotë të gjithë anëtarë të kabinetit të ish kryeministrit, Hashim Thaçi.
Në shkurt të vitit 2016, Prokuroria e Posaçme nisi një hetim “parapenal” për këtë rast, i cili kishte zgjatur rreth 26 muaj. Ndërkaq në maj të vitit 2018 Prokuroria nxori aktvendim për hetimin e disa zyrtarëve që nënshkruan privatizimin e Distribucionit dhe Furnizimit me energji elektrike.
Aktakuza përfshinë edhe zyrtarë të tjerë të lartë të Korporatës Energjetike të Kosovës, të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike dhe ish Kompanisë së Kosovës për Distribuim dhe Furnizim me energji elektrike.
Procesi i privatizimit të rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike kishte nxitur shumë reagime e protesta në Kosovë.
Rrjeti i shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike është pjesë e Korporatës energjetike të Kosovës, që është prodhuesi i vetëm i energjisë elektrike në vend dhe një nga kompanitë më të mëdha.
Lexoni edhe këtë Contour Global tërhiqet nga projekti për termocentralin e ri në KosovëKjo korporatë ende përballet më vështirësi në rimëkëmbjen e saj dhe furnizimin e qytetarëve me energji elektrike, meqë prodhimi i saj varet nga dy termocentrale të vjetruara, ndërsa planet për ndërtimin e një termocentrali të ri dështuan meqë më 17 mars kompania Contour Global, hoqi dorë nga planet për ndërtimin e një termocentrali me qymyr linjit prej 500 megavatësh në Kosovë.