Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të enjten përmes një dekreti kërkoi nga institucionet e sigurisë që të hartojnë një listë dhe masat kufizuese ndaj personave, grupeve dhe organizatave të përfshira në akte terroriste.
Dekreti i presidentit që hyn në fuqi mënjëherë, kërkon nga institucionet vendase të sigurisë që deri te hartimi i listës, Kosova të zbatojë listën e Bashkimit Evropian të personave, grupeve dhe organizatave të përfshira në akte terroriste, që është rifreskuar në janar të këtij viti.
Në një komunikatë të zyrës së presidentit Hashim Thaçi thuhet se “institucionet e sigurisë në Republikën e Kosovës obligohen që t’i ndërmarrin masat kufizuese përkatëse, në pajtim me praktikat ndërkombëtare, ndaj të gjithë personave, grupeve dhe organizatave të përfshira në Listën e Bashkimit Evropian”.
Në komunikatë thuhet se Kosova ka dëshmuar në vazhdimësi përkrahje të pakompromis në luftën kundër ekstremizmit, radikalizmit dhe terrorizmit, duke dhënë shembull të mirë për tërë rajonin. “Si pjesë aktive e aleancës globale kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, Republika e Kosovës do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe partnerët e tjerë për eliminimin e çfarëdo rreziku që i kanoset Kosovës dhe partnerëve të saj”, thuhet në komunikatën e zyrës së presidentit të Kosovës.
Në listën e Bashkimit Evropian për zbatimin e masave specifike për luftimin e terrorizmit gjenden 21 grupe apo etnitete dhe 15 persona.
Kosova është pjesë e koalicionit global kundër terrorizmit, ndërsa është përqendruar për një kohë të gjatë në ndërprerjen e valës së luftëtarëve të huaj dhe pengimin e financimit të grupeve terroriste.