Të dielën më 14 shkurt në Kosovë mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Zëri Amerikës u kërkoi intervista kandidatëve të tri partive kryesore politike për postin e kryeministrit të vendit. Kandidati i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk i është përgjigjur pozitivisht kërkesës për intervistë. Ndërkaq, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, tha në një intervistë me korrespodentin tonë në Prishtinë, Besim Abazi, se PDK-ja është e hapur për koalicione por vetëm nëse ajo do të drejtojë qeverinë.
Your browser doesn’t support HTML5
Zëri i Amerikës: Zoti Hoxhaj, përse duhet qytetarët e Kosovës të votojnë për ju dhe Partinë Demokratike të Kosovës?
Enver Hoxhaj: Sepse ne jemi e vetmja parti politike e cila në këto zgjedhje me program të qartë, i cili program sa adreson çështjen e pandemisë dhe pasojave të saj, po aq edhe raportet që ka Kosova me Serbinë dhe me bashkësinë ndërkombëtare. Së dyti, jemi e vetmja parti e cila në mëngjesin e së hënës zgjohet me një njeri i cili do të jetë kryeministër dhe ky jam unë, meqë në listën e Vetëvendosjes zoti Kurti nuk mund të bëhet kryeministër. E së treti jemi e vetmja parti e cila ka pasur një diskutim të mirëfilltë me qytetarët e Kosovës, kemi diskutuar pikat programore, secili e din se për çka qëndron PDK-ja prej të hënës e tutje.
Zëri i Amerikës: T’i marrim me radhë. Çështja e parë që përmendët ishin marrëdhëniet me Serbinë por edhe me bashkësinë ndërkombëtare. Çfarë në fakt prisni ju në rrafshin e diskutimeve me Serbinë?
Enver Hoxhaj: Mendoj që prej të gjithë kandidatëve që garojnë për kryeministër, unë jam kandidati më i përgatitur, me përvojën më të gjatë në fushën e politikës së jashtme i cili njeh personalisht presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i cili e njeh sekretarin e shtetit, zotin Blinken, i cili e njeh Jack Sullivan, që është drejtor i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe i cili ka kontakte të mirëfillta po ashtu edhe me Berlinin, meqë Berlini shihet si një qendër e madhe vendimmarrëse evropiane dhe është përkushtim i imi që ta krijoj një momentum të ri diplomatik me administratën e re të zotit Biden dhe sa do të jetë në pushtet zonja Merkel, që ta arrijmë një marrëveshje e cila siguron njohje të ndërsjellë. Frika ime është që nëse Kosova nuk arrin brenda vitit 2021 që të arrijë një marrëveshje për normalizim të raporteve me Serbinë, përmes qëllimit të saj që të nënshkruhen marrëdhëniet diplomatike dhe të ndodhë njohja e ndërsjellë, çdo vit e më shumë Kosova do t’i largohet anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Zëri i Amerikës: Zoti Hoxhaj, partia juaj edhe ju si pjesë e saj, për 13 vjet të pavarësisë së Kosovës, në 12 keni qenë në pushtet. I kishit këto kontakte edhe më herët, përse nuk i shfrytëzuat me kohë që të mos zvarritej kaq gjatë një proces siç është ai i bisedimeve me Serbinë?
Enver Hoxhaj: Mendoj që PDK-ja ka pasur një rol kyç në shtetformimin dhe shtetndërtimin e Kosovës. Kur filloi dialogu në mars të 2011-ës, që u bënë tash dhjetë vite, si rezultat i vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare pas opinionit për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ne e kemi përmbushur atë kërkesë dhe obligim që e kishte bashkësia ndërkombëtare në raport me ne. Por, prej vitit 2014 Partia Demokratike nuk është duke e udhëhequr qeverinë dhe tema e dialogut ka qenë më shumë temë që u ka shërbyer qëllimeve të brendshme sesa qëllimeve të politikës së jashtme, më shumë temë që ka polarizuar shoqërinë tonë dhe kjo është dëshmia më e mirë pse qeveria e ardhshme duhet të udhëhiqet nga Partia Demokratike e Kosovës, meqë ne jemi parti e cila i beson dialogut, u beson Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe është e gatshme që ta përmbyllë këtë proces. Të tjerët që garojnë me ne në këto zgjedhje nuk i kanë besuar dialogut, e kanë kundërshtuar dialogun dhe nuk kanë platformë të qartë se çfarë duan të arrijnë në dialog.
Your browser doesn’t support HTML5
Zëri i Amerikës: Por e kanë kundërshtuar zvarritjen e tij dhe siç është thënë, dialogun pa parime me Serbinë?
Enver Hoxhaj: Mund të debatohet për qëndrimet të cilat i kanë pasur, por në zgjedhjet që ne po shkojmë i vetmi subjekt politik i cili ka qartësi të plotë se çka do të duhej të arrihet në normalizimin e raporteve Kosovë – Serbi është Partia Demokratike e Kosovës. Të tjerët garojnë me të panjohurën, të tjerët garojnë me konceptin e errësirës, me konceptin e të padukshmes e të pamatshmes, dhe unë mendoj që kjo është e rrezikshme për demokracinë.
Zëri i Amerikës: Nga ana tjetër ju keni përmendur edhe një mundësi tjetër nëse gjërat nuk shkojnë mirë në procesin e dialogut, atë të bashkimit apo konfederatës edhe me Shqipërinë. A nuk është edhe kjo pak e rrezikshme për vet procesin?
Enver Hoxhaj: Unë mendoj që letra e presidentit Biden, e cila është dërguar sapo ka marrë postin në një adresë të caktuar në Beograd dhe në raport me zotin Vucic është parametri i vetëm i Kosovës se si ta determinojmë shpejtësinë, qëllimet e dialogut dhe si ta determinojmë rezultatin përfundimtar të dialogut. Frika ime është që nëse ka një parti tjetër politike në pushtet pas 14 shkurtit, ata do ta promovojnë status quon, do ta promovojnë blerjen e kohës, ndërsa me Partinë Demokratike të Kosovës qytetarët duhet ta dinë që ne do ta përmbyllim këtë proces dhe do ta përmbyllim duke ngritur flamurin e Kosovës në OKB. Prandaj në këto zgjedhje secili duhet ta dijë se a e mbështet opsionin e blerjes së kohës dhe të status quos dhe qëndrimet arrogante me dialogun dhe qëndrimet ofenduese në raport me partnerët tanë amerikanë dhe evropian, apo një subjekt dhe një kandidat të cilit i besojnë edhe amerikanët edhe evropianët sikur që jam unë.
Lexoni edhe këtë Biden, thirrje për njohje të ndërsjellë Kosovë-SerbiZëri i Amerikës: Dhe letra e presidentit Biden e hoqi nga fjalori juaj mundësinë e bashkimit me Shqipërinë?
Enver Hoxhaj: Nuk ka të bëjë me fjalorin tim politik, ka të bëjë me rrethana konkrete politike. Nëse Kosova nuk arrin që ta përmbush qëllimin e saj të anëtarësimit në OKB, përmes një marrëveshjeje me Serbinë do të dilte një opsion B. Po mundohem të jem sa më i qartë, kushdo që e stërzgjatë këtë proces do të ketë pasoja rajonale, por ne dhe unë personalisht kam qenë pjesë e pakos së Ahtisarit, unë nuk jam tip që beson në koncepte romantike dhe historike, i cili prodhon një koncept dhe një nocion në mënyrë të pamenduar. Ne i besojmë pakos së Ahtisarit, ne duam që ta përmbyllim shtetndërtimin e Kosovës me këtë Kushtetutë, me këtë territor dhe me këta kufij. Por të gjitha subjektet tjera politike të cilat kanë blerë kohë, realisht e kanë favorizuar status quon dhe ne jemi kundër status quos.
Zëri i Amerikës: Le t’u kthehemi pak problemeve të brendshme që janë pjesë edhe e programit tuaj, ju e keni quajtur rimëkëmbje, kjo lidhet posaçërisht me pandeminë. Si mendoni ta menaxhoni apo të siguroni tejkalimin e situatës me pandeminë?
Enver Hoxhaj: Së pari ne kemi plan të qartë se si ta sigurojmë vaksinën dhe unë deri më tash kam biseduar me disa prej kryeministrave të Evropës, meqë jetojmë në një kohë kur diplomacia e vaksinës është shndërruar në instrument të politikës së jashtme dhe mendoj që është detyrë e kryeministrit ta bëjë një gjë të tillë. Unë jam i sigurt që në muajin e parë si kryeministër do të arrijë të sigurojë një pjesë të madhe të vaksinës për një numër të caktuar të qytetarëve, dhe kam folur sa me vende në Evropë ashtu edhe me pjesën perëndimore të botës por edhe me ato të Lindjes së Mesme si e vetmja mundësi për të siguruar një sasi të vaksinave. Së dyti e kemi një plan të qartë dhe një hartë të brendshme të Kosovës ku do të kemi 30 qendra për vaksinim të qytetarëve të Kosovës, së treti kemi një qartësi të plotë se çfarë të bëjmë në mbështetje për ata që infektohen me virusin COVID-19, një mbështetje financiare. Përtej vaksinës kemi edhe një qartësi se si ta ndihmojmë ekonominë, sektorin privat, si ta rrisim mirëqenien, si të krijojmë vende të reja të punës përmes një fondi prej 500 milionë eurosh, i cili do të duhej të adresojë të gjitha sfidat që i ka ekonomia jonë. Ne e shohim sektorin privat si partner tonin dhe do të ofrojmë lehtësira fiskale në raport me ta, ta zëmë tatimi i të ardhurave për korporatat do të ulet në mënyrë të përshkallëzuar deri në zero varësisht nga numri i vendeve të reja të punës që krijohen por edhe mbështetje direkte për sektorin privat në fushën e prodhimit.
Zëri i Amerikës: Ju përmendët vaksinimin dhe thatë që në muajin e parë nëse zgjidheni kryeministër do të fillojë vaksinimi, por nga zyrtarët e lartë edhe perëndimor përfshirë edhe Bashkimin Evropian është thënë që para gjysmës së vitit 2021 Kosova vështirë që mund të shoh vaksinat. Ku e keni shpresën?
Enver Hoxhaj: Mendoj që ka disa vende në Evropë që kanë kontrata të shumta me dy kompani kryesore që merren me prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinës dhe përmes komunikimit që kam pasur me kolegët e mi në Evropë, ka vende të cilat kanë një numër të tepërt të rezervave të vaksinave në raport me zbatimin e planeve të tyre për të bërë vaksinimin e krejt popullatës së një vendi të caktuar dhe ne duhet të shohim se si të krijojmë një raport të favorshëm që të krijojmë mbështetje prej shtete të caktuara që të marrim një sasi të caktuar të vaksinave. Ka vende ne Evropë të cilat kanë jo një kontratë, por kanë disa kontrata dhe nuk dinë se çfarë të bëjnë me vaksinat para se të fillojë shpërndarja e tyre dhe këtë duhet ta menaxhojmë.
Zëri i Amerikës: Zoti Hoxhaj për ta bërë këtë duhet pushteti dhe ju synoni të fitoni pushtetin por konsolidimi i tij, formimi i institucioneve të reja edhe për shkak të mënyrës se si zhvillohen zgjedhjet në Kosovë, nënkupton bashkëpunim edhe me forcat tjera politike. Me kë dhe sa është e gatshme të bashkëpunojë Partia Demokratike për të themeluar institucionet?
Enver Hoxhaj: Partia Demokratike e Kosovës hynë në këto zgjedhje për ta udhëhequr qeverinë, meqë ne jemi partia e vetme që ka program të qartë, ne jemi partia e vetme e cila është në gjendje ta dijë se çfarë do të bëj në 100 ditëshin e parë, në vitin e parë dhe qytetarët e Kosovës të cilët kanë votuar në vjeshtën e 2019-tës për një koalicion të ndryshimit u pa që ai koalicion i ndryshimit solli më shumë të panjohura, të errëtën, të paqartën, jostabilitetin dhe kushdo që dëshiron që të ketë stabilitet dhe qeveri për katër vitet e ardhshme dhe ta dijë të hënën e 15 shkurtit se kush do të jetë kryeministër duhet të votojë për Partinë Demokratike të Kosovës. Dhe unë mendoj se pyetja kryesore në këto zgjedhje është kush vërtetë dhe mund të bëhet kryeministër dhe jo kush qëndron në billboard, nëse dikush nuk qëndron në listën për deputet, nëse dikush mund të pretendojë që të shpallë zgjedhjet edhe të shpallë rezultatin para se ato të mbahen, mund të kultivojë një kulturë më shumë autoritare se sa demokratike. Janë tema të cilat qytetarët e Kosovës duhet të jenë të shqetësuar dhe duhet ta mendojnë mirë votën e tyre prandaj e vetmja adresë e stabilitetit, e qartësisë, e parashikueshmërisë politike në këto zgjedhje jam unë dhe Partia Demokratike e Kosovës.
Zëri i Amerikës: Ju përmendët disa herë çështjen e pamundësisë për të qenë kryeministër e kishit fjalën për zotin Kurti i cili nuk është lejuar që të kandidojë për deputet, por ligji nuk e pengon që të jetë kryeministër?
Enver Hoxhaj: Ne do të shohim sepse nuk na takon neve që të interpretojmë ligjin, i takon institucioneve tjera që ta interpretojnë ligjin por në asnjë vend demokratik nuk do të mund të mbahen zgjedhjet nëse bartësi i listës së një partie demokratike figuron vetëm në billboard, por nuk figuron si numër një në listë zgjedhore për të fituar shumicën në parlament edhe për të nxjerrë nga parlamenti qeverinë. Mendoj që kjo është pyetja më legjitime që duhet ta shtrojë dikush në Kosovë. Imagjinoni Gjermaninë, Francën apo Britaninë e Madhe se si do të shtrohej pyetja se kush do të jetë në të vërtetë kryeministri, kënd mund ta thërret dikush nga Brukseli apo Uashingtoni në ditën pas shpalljes së rezultatit zgjedhor, kush mund të formojë institucione, kush është i ligjshëm që ta bëj një gjë të tillë? Janë dilema serioze të cilat qytetarët e Kosovës duhet t’i mendojnë dhe për çka i ftoj qytetarët e Kosovës është që të mos u besojnë sondazheve. Mendoj që sondazhet janë komplet jashtë realitet, nuk e reflektojnë as qëndrimin politik, as bindjet politike dhe as orientimin politik që kanë qytetarët e Kosovës.
Zëri i Amerikës: Megjithatë edhe sondazhet por edhe parashikimet tjera parashohin që themelimi i institucioneve nënkupton bashkëpunim. Me kënd jeni të gatshëm të bashkëpunoni, a jeni të gatshëm edhe me lëvizjen Vetëvendosje?
Enver Hoxhaj: Ne nuk kemi vija të kuqe për asnjë subjekt politik por bashkëpunimi nuk është i paracaktuar, bashkëpunimi mund të ndodhë vetëm në bazë ta parimeve që mund të ndërtohet një qeveri, mund të ndodhë në bazë të vlerave që reflekton një koalicion qeverisës dhe mund të ndodhë vetëm nëse qeverinë e udhëheq Partia Demokratike e Kosovës dhe unë jam kryeministër. PDK-ja nuk hynë në asnjë qeveri pa mua si kryeministër i ardhshëm dhe këtu është një qartësi e plotë, ne nuk garojmë në këto zgjedhje me një koalicion parazgjedhor, garojmë me një program të qartë, me identitet të qartë, qëllime të qarta dhe me emrin e qartë se kush mund të jetë kryeministër i ardhshëm i Kosovës dhe këtu ka qartësi të plotë sot, të dielën kur votohet më 14 shkurt dhe të hënën në mëngjes më 15 shkurt.
Zëri i Amerikës: Do të thotë shkurt, o Enver Hoxhaj kryeministër, o Partia Demokratike në opozitë, i bie kësisoj?
Enver Hoxhaj: Do t’i fitojmë zgjedhjet.
Zëri i Amerikës: E nëse nuk i fitoni?
Enver Hoxhaj: Unë jam i sigurt që PDK-ja të dielën do të del parti fituese dhe nga ky vend ku e zhvillojmë këtë bisedë, ne do ta shpallim fitoren tonë.
Zëri i Amerikës: Zoti Hoxhaj, çështja e zgjedhjes së presidentit të Kosovës është ajo që shihet si një farë nyje gordiane për themelimin e institucioneve të reja. A prisni krizë rreth kësaj çështjeje? Ka shumë vëzhgues që thonë që Kosova nga kriza po vjen dhe në krizë do të shkojë?.
Enver Hoxhaj: Kjo është një temë ku kërkohet bashkëpunim por ne nuk mendojmë se në fushatën e zgjedhjeve parlamentare ku partitë politike garojnë për të marrë shumicën në Kuvend të Kosovës ku prej kësaj shumice dhe partneriteteve të mundshme duhet të krijohet një qeveri, tash ta rikthejmë edhe njëherë çështjen e presidentit. Mendoj që për këtë temë ne duhet ta themi fjalën tonë të fundit kur do të jetë e nevojshme. Çka PDK-ja ka treguar dhe dëshmuar është natyrisht për stabilitet institucional, por pyetja kryesore është kjo, më e rëndësishme për Kosovën është të debatohet jo vetëm si zgjidhet presidenti por për çfarë lloj presidenti ka nevojë Kosova në vitin 2021, një vend që në vitin 2020 për shkak të keq qeverisjes së zotit Kurti dhe zotit Hoti të dështimeve të tyre të brendshme dhe të jashtme më shumë i ka përngjarë një protektorati të UNMIK-ut se sa një shteti sovran, sepse sovraniteti ushtrohet, e ushtron brenda dhe në raport me botën e jashtme dhe në këtë drejtim pyetja bazike është këtu, jo si të zgjidhet presidenti dhe çfarë formule partitë politike mund të bëjnë kompromis si ta zgjedhin presidentin por për cilin president ka nevojë që ta ketë Kosova në vitin 2021…
Zëri i Amerikës: Dhe cila është përgjigja juaj?
Enver Hoxhaj: Dhe si u pa sjellja e zonjës Osmani në Tiranë e cila nuk dinte si të sillej në Tiranë në raport me shtetin amë, imagjinoni se si mund të sillet ajo tash në raport me shtetet të cilat kanë qëndrim armiqësor sa i takon pavarësisë së Kosovës…
Zëri i Amerikës: Cila është përgjigja në këtë pyetje zoti Hoxhaj, cila është përgjigja në këtë pyetje që ju e shtroni vet se çfarë presidenti i duhet Kosovës?
Enver Hoxhaj: Në përputhje me vizionin tonë për të udhëhequr Kosovën dhe ne nuk jemi për atë që të administrojmë por që ta qeverisim, ne duhet të kemi edhe një president që do të jetë partner i qeverisë që do ta udhëheq unë, i cili beson në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili i beson ashkimit Evropian, i cili kultivon ato vlera në të cilat kanë besuar shqiptarët jo vetëm në 13 vitet që nga shpallja e pavarësisë por edhe në 30 vitet e tranzicionit dhe në këto dy – tre qind vitet e fundit si komb dhe në atë rrafsh duhet ta kemi një njeri që përfaqëson këto vlera. Kush mund të jetë do të duhej ta debatojmë por jo me çdo kusht, jo rezultat i kompromiseve të vogla, partiake, ditore ku në emër të stabiliteti kushtetues ta kesh dikë që mund ta dëmtojë vendin brenda, që mund të polarizojë edhe më shumë shoqërinë në Kosovë dhe mund ta largojë Kosovën në raport me partnerët e saj.