Kosovë: Protestë dhe ashpërsim i gjuhës politike para vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Veprimtarë të lëvizjes Vetëvendosje organizuan të enjten pasdite në sheshet qendrore të Prishtinë një, siç thanë ata, provë proteste, duke kërkuar zgjedhje të reja në prag të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës rreth kushtetutshmërisë së dekretit të presidentit Hashim Thaçi për mandatarin e ri për formimin e qeverisë.

Protestuesit qëndruan në distancë fizike me njëri tjetrin dhe me maska e dorëza për shkak të masave kundër përhapjes së pandemisë së COVID-19.

Rivalët politikë thanë se protesta është trysni mbi gjykatën, por kjo u hodh poshtë nga lëvizja Vetëvendosje.

Ne tashmë e kemi theksuar disa herë që Gjykata Kushtetuese të vetmen referencë e ka kushtetutën e vendit. Po ashtu në anën tjetër ne kemi deklaruar që kjo nuk është protestë por është një provë për protestë e cila ka ardhur nga kërkesat e shumta e qytetarëve të Kosovës”, tha zëdhënësi i kësaj lëvizjeje Arlind Manxhuka.

Gjykatës Kushtetuese të Kosovë i kanë mbetur më pak se 24 orë deri në afatin e përcaktuar prej saj për publikimin e vendimit dhe afrimi i këtij afati ka ashpërsuar edhe gjuhën politike.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka cilësuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, “uzurpator të zyrës së kryeministrit pas shkeljeve kushtetuese dhe si njeri të paligjshëm në politikën e Kosovës”..

Gjatë ditës presidenti Thaçi publikoi një video në llogarinë e tij në Facebook, ku shihet policia e Kosovës duke zbuluar një hapësirë ku prodhoheshin narkotikë. Ai akuzoi, siç tha, “grupin Kurti” dhe familjen politike të ministres së Drejtësisë. “Janë pamje nga laboratori i drogës në Prishtinë, që me anëtarin tjetër të këtij grupi kriminal, Xhelal Sveçlën, ditë më parë u përpoqën t'i zhdukin si fakte inkriminuese nga depoja e aseteve të konfiskuara dhe të sekuestruara. Është koha që të përballen me drejtësinë!”, shkroi presidenti Thaçi.

Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Albulena Haxhiu, tha se do të padisë presidentin Thaçi për siç tha shpifjet e tij.

Dje akuzoi që familja ime ka laborator droge, ndërsa sot, thekson familja politike. Sikur herën e parë po ashtu edhe herën e dytë, ai ka shpifur me qëllime të pista. Ju njoftoj që lidhur me akuzat e shpifjet e tij, familjarët e mi me shtetësi zvicerane janë duke u konsultuar me avokatë për ta paditur Hashim Thaçin, në Gjykatën e Zvicrës”, ka shkruar zonja Haxhiu.

Të mërkurën mbrëma presidenti Thaçi në një intervistë në Radiotelevizionin Dukagjini, akuzoi siç tha “grupin Kurti se kanë hyrë në dhomën e përgjimeve në telekomin e Kosovës”, ndërsa u bëri thirrje organeve të drejtësisë që të veprojnë.

Kryeministri në detyrë u cilësoi “shpifje” pohimet e presidentit ndërsa në një

postimi në llogarinë e tij në Facebook, tha se “regjimi i vjetër” po përpëlitet nëpër studiot televizive”.

Ata refuzojnë ta kuptojnë se koha e tyre ka mbaruar. Po orvaten të rikthehen, përmes trysnisë mbi gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. Sa herë që ne ua godasim korrupsionin, ata piskasin “Amelika, Amelika! Gleneli, Gleneli!”. Duan ta dëmtojnë imazhin e ShBA-ve në Kosovë, ta keqpërdorin atë si strehë për ultësinë e tyre”, shkroi ai.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti e ka akuzuar presidentin Thaçi për ndërhyrje në proceset politike në vend dhe siç thuhet, përpjekje për krijim të vullnetit politik jashtë mandatit të tij me përpjekjet për të formuar një qeveri të re pa fituesin e zgjedhjeve të vitit të kaluar.

Vëzhguesit në Kosovë thonë se ndarjet e tilla në skenën politike po e çojnë vendin drejt një pasigurie politike me rrezik për destabilizimin e tij.

Kosova mbeti me qeveri në detyrë në mes të pandemisë së kornavirusit dy muaj ma parë, kur u votua mocioni i mosbesimit i paraqitur nga Lidhja Demokratike e Kosovës për rrëzimin e qeverisë pjesë e koalicionit të saj me lëvizjen Vetëvendosje.

Presidenti Thaçi mandatoi më 30 prill Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për të formuar një qeveri të re dhe lëvizja Vetëvendosje kërkoi nga Gjykata Kushtetuese që të vlerësojë kushtetutshmërinë e veprimit të presidentit.

Lexoni edhe këtë Gjykata Kushtetuese e Kosovës kërkon të mos ndërhyhet në pavarësinë e saj

Të gjitha partitë politike përveç lëvizjes Vetëvendosje kanë kërkuar formimin e një qeverie të re ndërsa kanë theksuar se do të pranojnë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese. Lëvizja Vetëvendosje ndërkaq kërkon që vendi të shkoj në zgjedhje ndërsa kryetari i saj Albin Kurti, ka thënë se kjo lëvizje do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, përderisa një gjë e tillë do të jetë interpretim i Kushtetutës.