Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për herë të tretë në dy jave i bëri thirrje kryeministrit në detyrë Albin Kurti, njëherësh kryetar i lëvizjes Vetëvendosje për të caktuar emrin e mandatarit për formimin e qeverisë së re. Zoti Kurti deri tash nuk ka pranuar të dërgoj ndonjë emër dhe kërkon që vendi të shkojë në zgjedhje pas pandemisë së COVID-19-tës.
Në një letër dërguar të mërkurën zotit Kurti, presidenti Thaçi, i kërkon atij sërish që sa më parë të dërgojë emrin e ri të mandatarit, pas rrëzimit të qeverisë më 25 mars.
“Ju rikujtoj që mandati im kushtetues më obligon që të garantoj funksionimin demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës, duke përfshirë edhe sigurimin e emërimit të kandidatit/es për Kryeministër për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës. Qytetarët e Republikës së Kosovës dhe partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës, me të drejtë presin funksionalizimin e Qeverisë së re, si dhe presin nga Presidenti të caktojë mandatarin për formimin e Qeverisë”, shkruan në letër.
Ai më tej zotohet se si president “do ta ndërmarr këtë veprim duke ndjekur të gjithë hapat kushtetues” që qytetarët e Kosovës të kenë sa më shpejtë qeverinë e tyre të re, sidomos në këtë situatë të pandemisë COVID 19, e cila “kërkon një qeveri efikase dhe efektive me mandat të plotë kushtetues”.
“Askush nuk ka të drejtë t'i privojë përfaqësuesit e zgjedhur të popullit në Kuvendin e Republikës së Kosovës për të pasur kandidatin/en për Kryeministër dhe për të ushtruar kompetencën e tij/saj për të zgjedhur Qeverinë e Republikës së Kosovës”, shkruan presidenti Thaçi, duke nënvizuar se “vonesa e juaj në propozimin e kandidatit/es për Kryeministër i pamundëson Kuvendit për të zgjedhur Qeverinë dhe rrjedhimisht pamundëson edhe funksionimin demokratik dhe kushtetues të institucioneve, që sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës duhet ta garantojë Presidenti".
Presidenti duke ju referuar në letër një pike të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014 rreth procesit të ngritjes së qeverisë i cili "vëren se nuk përjashtohet që partia ose koalicioni në fjalë do të refuzojë të marrë mandatin", shkruan se “atëherë duhet ta keni në konsideratë se nëse ju nuk e propozoni kandidatin/en për Kryeministër, atëherë veprimet tuaja mund të reflektojnë edhe hezitim në marrjen e mandatit, respektivisht refuzimin e marrjes së mandatit”.
Presidenti Thaçi, këtë çështje e diskutoi sot edhe me ambasadorët perëndimorë në Kosovë, duke u zotuar se “çdo hap që do të ndërmarrë do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, me praktikat e deritashme dhe me vullnetin e partive politike të përfaqësuara në parlament”
Presidenti Thaçi i cili që nga 2 prilli i dërgoi tri letra me radhë zotit Kurti, mbështetet në nenin 95 të Kushtetutës së Kosovës në të cilin thuhet që “nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”.
Por, kryeministri në detyrë Albin Kurti, i shkroi të hënën presidentit Thaçi se nuk është detyrë e presidentit të Kosovës “që të imponohet me shkresa duke kërkuar emra kandidatësh për kryeministër” dhe se pas pandemisë, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja, pas rrëzimit të qeverisë së tij më 25 mars.
Në letrën e së hënës ai theksoi se “pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit, përmes të cilit është shkarkuar Qeveria e Republikës së Kosovës, presidentit nuk i krijohet hapësirë që të luaj rolin e një akteri politik duke tentuar të imponojë vullnetin e tij në jetën politike. Presidentit të Republikës së Kosovës, si organ kushtetues, një mocion mosbesimi i jep të drejtën që të përmbushë vetëm një veprim të përcaktuar nga kushtetutëdhënësi. Pra, shpërndarjen e Kuvendit në përputhje me nenin 82.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Se kjo është procedura e vetme të cilën e parasheh Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk është vënë asnjëherë në dyshim as në praktikën e deritanishme kushtetuese”, shkroi ai.
Lexoni edhe këtë Kurti letër Thaçit: Zgjedhje pas pandemisëPartitë tjera politike kundërshtojnë mbajtjen e zgjedhjeve duke kërkuar ngritjen e një qeverie të re.
Kryetari i Lidhjes Demokratike që ishte pjesë e koalicionit qeverisës me lëvizjen Vetëvendosje, Isa Mustafa, kërkoi gjatë kësaj jave mbështetjen e Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie për një koalicion të mundshëm me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën socialdemokrate për formimin e një qeverie të re, “në qoftë se ky mandat ofrohet duke ndjekur procedurat kushtetuese”.
Kosova mbeti me qeveri në detyrë pasi që parlamenti miratoi me 25 mars një mocion të Lidhjes Demokratike te Kosovës, për rrëzimin e qeverisë pjesë e së cilës ishte. Koalicioni u përça për shkak se Lidhja Demokratike kërkoi që tarifat ndaj mallrave serbe të hiqen në tërësi sipas kërkesës së Shteteve të Bashkuara që tashmë kanë pezulluar programe dhe kanë paralajmëruar sanksione të tjera nëse kjo nuk ndodhë.
Tarifat e vendosura në nëntor të vitit 2018 janë hequr që nga një prilli nga qeveria e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, por duke vendosur masat e reciprocitetit me Serbinë.
Vendimi i tij u mbështet nga vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa u kundërshtua nga Shtetet e Bashkuara.