Kosovë: Presidenti kërkon sërish emrin e mandatarit nga lëvizja Vetëvendosje

  • Leonat Shehu

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i kërkoi sërish të premten kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, propozimin e emrit të mandatarit për formimin e qeverisë së re të Kosovës, pas rrëzimit të qeverisë Kurti më 25 mars.

Në letrën e dytë me radhë të presidentit thuhet se “qytetarët dhe partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës me të drejtë presin funksionalizimin e qeverisë së re dhe dekretimin e kandidatit të propozuar për kryeministër”.

Ne letër thuhet se mandati kushtetues i presidentit e garanton funksionimin demokratik të institucioneve, që përfshinë edhe sigurimin e emërimit të kandidatit për të formuar qeverinë.

Kosova qeveriset aktualisht nga një kabinet në detyrë pas rrëzimit të qeverisw sw saj me 25 mars mes përplasjesh edhe brenda koalicionit qeveritar rreth trysnisë amerikane për heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe.

Your browser doesn’t support HTML5

Thaçi kërkon sërish emrin e mandatarit nga Lëvizja Vetëvendosje

Javën e kaluar presidenti Thaçi i kërkoi lëvizjes Vetëvendosje emrin e ri të mandatarit pas një seri këshillimesh me partitë politike.

Lëvizja Vetëvendosje ngulë këmbë që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme pas pandemisë, ndërsa është zotuar t’i përgjigjet kërkesës së presidentit, siç thuhet, në një kohë të përshtatshme.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti përsëriti disa herë ditëve të fundit se qeveria e tij është e përqendruar në luftimin e pandemisë së korona virusit dhe nuk ka përparësi më të rëndësishme se sa kjo luftë.

Lexoni edhe këtë Kurti: Përparësi e qeverisë – lufta kundër COVID-19, jo çështjet e brendshme politike

Autoritetet janë vënë në përpjekje për të penguar zgjerimin e koronavirusit dhe përballjen me pasojat e tij.

Kryesia e parlamentit të Kosovës miratoi kërkesën e Partisë Demokratike për një seancë të jashtëzakonshme për të trajtuar një pako emergjente financiare për të lehtësuar dëmet e shkaktuara në ekonomi. Kjo parti ka hedhur propozimin e një pakete prej 320 milionë eurosh për të ndihmuar punëtorët e sektorit privat, bizneset dhe gjitha kategoritë shoqërore që po përballen me pandeminë.

Qeveria e Kosovës tashmë ka miratuar një pako emergjente fiskale në vlerë prej rreth 180 milionë eurosh, me anë të cilës synohet të mbështeten bizneset, skemat sociale dhe komunat. Përfaqësues të bizneseve në Kosovë e kanë mirëpritur pakon e qeverisë por kanë kërkuar edhe më shumë mbështetje pasi që sipas tyre Kosova po humb rreth 10 milionë euro çdo ditë.

Deri në mëngjesin e së premtes në Kosovë u konfirmuan 227 raste të të prekurve nga virusi COVID-19, nga të cilët 7 kanë humbur jetën, ndërsa 38 janë shpallur të shëruar.

Sipas zyrtarëve të shëndetësisë në klinikën Infektive aktualisht janë duke u trajtuar 40 pacientë me virusin COVID-19, dy prej të cilëve në gjendje kritike me mbështetje të ventilimit mekanik.

Lexoni edhe këtë Gjykata Kushtetuese e Kosovës, shfuqizon vendimin e qeverisë për kufizim lëvizjesh

Autoritetet janë vënë në përpjekje edhe për të gjetur një mënyrë për të kufizuar lëvizjen e qytetarëve sipas aktgjykimit të gjykatës Kushtetuese të 31 marsit e cila shfuqizoi një vendim të qeverisë në detyrë për kufizim të lëvizjes. Masat shfuqizohen më 13 prill, ndërsa mjekët kërkojnë kufizimin e lëvizjeve si një nga veprimet thelbësore për pengimin e zgjerimit të koronavirusit.