Kosovë: Presidenti kërkon mandatarin e ri – Vetëvendosje thotë se presidenti ka synime politike e personale

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kryetar i lëvizjes Vetëvendosje tha të enjten se presidenti i Kosovës nuk është neutral por ka synim politik dhe personal.

Ai i barti këto komente disa orë pasi që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i kërkoi propozimin e emrit të mandatarit për formimin e qeverisë së re të Kosovës, pas rrëzimit të qeverisë Kurti javën e kaluar.

Your browser doesn’t support HTML5

Kosovë, bisedime mes presidentit dhe partive mbi krizën politike

Në një letë dërguar zotit Kurti ai mbështetet në nenin 95 të Kushtetutës së Kosovës në të cilin thuhet që “nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”.

Letra e presidentit pasoi dy ditë këshillime me partitë politike parlamentare për rrugëdaljen nga situata e krijuar me rrëzimin e qeverisë Kurti.

Por, lëvizja Vetëvendosje ka theksuar se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme pas përfundimit të pandemisë së korona virusit.

Një ditë më parë, kryetari i lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, kërkoi nga presidenti që të veprojë në pajtim me nenin 82, pika 2 të kushtetutës së Kosovës ku thuhet se “Parlamenti mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë”.

Zoti Kurti shkroi sot në rrjetet sociale se “presidenti ka vendosur të anashkalojë nenin 82.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës i cili i referohet situatës pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit ndaj Qeverisë. Presidenti po sillet thua se Qeveria varet nga Kuvendi por ky s'varet nga populli, thua se zgjedhjet demokratike janë mjet por jo edhe vlerë”.

Presidenti, shkroi ai më tej, “takoi gjitha partitë parlamentare politike, dhe, më pas kërkoi nga subjekti ynë fitues i zgjedhjeve të propozojë kandidatin për Kryeministër. Pra, Presidenti nuk është neutral, ai ka interes politik dhe synim personal, gjersa duhej t'ishte i paanshëm e procedural. Disi don të besojë se 25 marsi 2020 ka ndodhur pa 3 shkurtin 2020! Sidoqoftë, ne do t'i përgjigjemi, në një moment të përshtatshëm, në këtë kohë virusi”, shkroi zoti Kurti.

Lexoni edhe këtë Presidenti i Kosovës hapi këshillimet për tejkalimin e situatës politike

Në favor të formimit të qeverisë së re janë shprehur partitë tjera politike edhe në ditën e dytë të këshillimit me Presidentin.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha të enjten se është më mirë për vendin të ketë një qeveri të re, nëse kushtetuta e vendit mundëson zgjedhjen e saj në parlament.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mendon se më sigurt për Kosovën është me pas një qeveri të votuar në parlament së shpejti, pra kur do që është e mundshme se sa të vazhdohet me gjendjen me një qeveri të shkarkume prej parlamentit. Njëkohësisht nuk e shohim të mundshme dhe në rregull shkuarjen në zgjedhje në këtë kohë, pra menjëherë. Qeveria e ardhshme mundet me qenë edhe me një afat kohorë të përkohshme ose për një kohë të caktuar por shpalljen e zgjedhjeve tani e shohim të pamundshme dhe paarsyeshme”, tha zoti Haradinaj.

Intervistë me Kadri Kryeziun, ish anëtar i Gjykatës Kushtetuese

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeziu, presidenti i Kosovës i kërkoi sot lëvizjes Vetëvendosje që të mandatoj një kandidat për të formuar qeverinë e re. Si e shihni këtë kërkesë dhe çfarë pritet tash?

Kadri Kryeziu: Tash vjen në shprehje neni 95, pika 5, nëse kryeministri jep dorëheqje për arsye tjera posti i tij mbetet i lirë, qeverie bie, presidenti në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend mandaton kandidatin e ri për të formuar qeverinë. Kjo është përgjigja në aspektin kushtetues, por, kushtetuta hesht rreth asaj se nëse partia e parë ose koalicioni që ka fituar zgjedhjet nuk shkon me marr mandatin dhe tani është në kompetenca të presidentit të Republikës të jap atë mundësinë e vet që është paraparë edhe me kushtetutë, që ai ka për obligim që institucionet të jenë funksionale, institucionet të jenë stabile dhe të mos jetë Kosova pa institucione dhe presidenti si përfaqësues i unitetit të popullit ka për detyrë që të gjejë mekanizma gjithherë me partitë politike të cilat janë në parlament dhe kanë kaluar pragun në parlament dhe të cilat janë në funksion.

Zëri i Amerikës: A ka ndonjë afat lëvizja Vetëvendosje që t’i kthej përgjigje presidentit?

Kadri Kryeziu: Nuk ka afat të precizuar, por presidenti duhet të marr masa. Unë mendoj kështu që në bazë të praktikave duhet brenda dhjetë ditëve presidenti të pret një kohë të caktuar prej partisë së parë ose koalicionit të parë, pastaj të shikojë situata tjera. Do të thotë afat të precizuar nuk ka në kushtetutë.

Zëri i Amerikës: A ka të drejtë presidenti të marr veprime tjera, a rrezikon të shkelë kushtetutën?

Kadri Kryeziu: Presidenti duhet me qenë në harmoni me kushtetutën dhe duhet patjetër të respektojë kushtetutën. Por në bazë të situatave të caktuara, siç është tash situatë e jashtëzakonshme, ai duhet të veprojë në bazë të disa kritereve të meritokracive të cilat i ka edhe e ka në diskrecion të formojë qeverinë, të mundohet që në bazë të partive politike të formojë qeverinë e cila do të jetë funksionale.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj tha se kushtetuta e Kosovës ka qartësi të plotë për t’i dhënë zgjidhje vendit ndërsa bëri thirrje që të respektohen përgjegjësitë e secilit institucion të Kosovës.

“Nisma beson se presidenti duke respektuar kushtetutën duhet kujdesshëm të shikoj mundësinë që të shmang zgjedhjet e parakohshme. Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm dhe ta lexojmë, ta interpretojmë dhe ta ruajmë kushtetutën dhe frymën e saj, ta ruajmë shtetin tonë parlamentar dhe ai ruhet kur në epiqendër të këtij shteti është parlamenti i Kosovës. Edhe sot parlamenti i Kosovës mund të shpërndahet nëse është vullnet i shumicës parlamentare por siç e dini ju nga deklarimet që kemi parë deri më tani shumica deri më tani, shumica e deputetëve e parlamentit të Kosovës ose grupeve parlamentare që janë të përfaqësuara në parlament dëshirojnë zgjidhje tjetër dhe jo shpërndarje të parlamentit “, tha zoti Limaj.

Edhe subjektet e komuniteteve jo serbe në Kosovë kundërshtuan zgjedhjet e parakohshme duke kërkuar formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse.

Kosova mbeti me qeveri në detyrë pasi që parlamenti miratoi me 25 mars një mocion të Lidhjes Demokratike te Kosovës, për rrëzimin e qeverisë pjesë e së cilës ishte. Koalicioni u përça për shkak se Lidhja Demokratike kërkoi që tarifat ndaj mallrave serbe të hiqen në tërësi sipas kërkesës së Shteteve të Bashkuara që tashmë kanë pezulluar programe dhe kanë paralajmëruar sanksione të tjera nëse kjo nuk ndodhë.

Tarifat e vendosura në nëntor të vitit 2018 janë hequr që nga dje nga qeveria e kryeministrit në detyre Albin Kurti, por duke vendosur masat e reciprocitetit me Serbinë.

Lexoni edhe këtë Shtetet e Bashkuara kundër vendimit të qeverisë së Kosovës për reciprocitet ndaj Serbisë

Vendimi i tij u mbështet nga vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa u kundërshtua nga Shtetet e Bashkuara.