Thaçi: Nga e hëna fillojnë këshillimet për qeverinë e re

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të premten se nga e hëna do të fillojë këshillimet me partitë politike për formimin e qeverisë së re, duke theksuar se synim i tij është një qeveri e unitetit.

Të mërkurën parlamenti i Kosovës miratoi mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së Kosovës, që u hodh nga Lidhja Demokratike, duke lënë vendin me qeveri në detyrë në një periudhë të përballjes me koronavirusin.

Your browser doesn’t support HTML5

Thaçi: Javën tjetër, këshillimet për formimin e qeverisë së re

“Nga e hëna duke e respektuar ligjet dhe Kushtetutën, do të fillojë me konsultimet me partitë politike për mundësinë e formimit të Qeverisë së re. Fokusi do të jetë në çdo rrethanë që mos ta lejojë që vendi të shkojë në zgjedhje dhe të shpërbëhet Kuvendi, Pra nga e hëna në mëngjes do t’i ftoj liderët e partive për të themeluar institucionet dhe mos të ketë vakum institucional. Natyrisht fokusi im është të shkojmë drejtë një qeverie të stabilitetit, unitetit dhe gjithëpërfshirjes në mënyrë që të ketë sukses në reformat tona të nevojshme”, tha të premten presidenti Thaçi.

Kushtetuta e Kosovës parasheh që “nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”.

Por, po ashtu sipas Kushtetutës, “Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë”.

Nënkryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi, tha të enjten mbrëma se “proceset kushtetuese për qeverinë ofrojnë këto mundësi: zgjedhje të reja, mandatim i Lëvizjes Vetëvendosje nga presidenti, e deri atëherë, vazhdim me qeverinë në detyrë”.

Ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, i tha të enjten Zërit të Amerikës se “nga ana kushtetuese, procedura është e njëjtë siç ka qenë edhe në rastin e formimit të qeverive të tjera. Është pika zero. Presidenti duhet t’i dërgoj fituesit të zgjedhjeve një letër ose kërkesë që i kërkon emrin mandatarit të ri. Kjo është kështu, sepse sipas aktgjykimit të gjykatës Kushtetuese në rastin VLAN, presidenti në raundin e parë nuk ka asnjë diskrecion. Do të duhet të presë përgjigje nga fituesi i zgjedhjeve i cili e kontrollon në mënyrë absolute raundin e parë dhe tek më pastaj kur kalon raundi i parë, kalohet në raundin e dytë...”

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u kanë bërë thirrje udhëheqësve të Kosovës që të që të veprojnë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës, për te tejkaluar situatën e krijuar pas rrëzimit të qeverisë.