Me 66 vota parlamenti i Kosovës miratoi sot qeverinë e koalicionit ndërmjet lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Your browser doesn’t support HTML5
Qeveria e re do të drejtohet nga kryeministri Albin Kurti, kryetar i lëvizjes Vetëvendosje, e cila doli e para në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit të vitit të kaluar.
Kosova u bë me qeveri të re gati katër muaj pas atyre zgjedhjeve dhe miratimi i saj pasoi negociatat e gjata ndërmjet dy partive.
Votimi i sotëm pasoi disa orë diskutime gjatë të cilave partitë në opozitë kritikuan koalicionin e ri qeverisës dhe kryeministrin Albin Kurti.
Duke paraqitur programin dhe përbërjen e kabinetit të tij, zoti Kurti, tha mes tjerash se qeveria e tij do të jetë e zhvillimit dhe punësimit dhe se buxheti i vendit do të arrijë në 3 miliardë euro.
Përbërja e qeverisë së Kosovës
Qeveria e re e Kosovës do të ketë gjithsej 15 ministri, dy zëvendëskryeministra, dhe 33 zëvendësministra.
Kryeministër i Kosovës - Albin Kurti (VETËVENDOSJE)
Zëvendëskryeministër i parë - Avdullah Hoti (LDK)
Zëvendëskryeministër i dytë - Haki Abazi (VETËVENDOSJE)
Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporë - Glauk Konjufca (VETËVENDOSJE)
Ministër i Integrimit Evropian -Blerim Reka (VETËVENDOSJE)
Ministre e Drejtësisë - Albulena Haxhiu (VETËVENDOSJE)
Ministre e Arsimit Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit -Hykmete Bajrami (LDK)
Ministër i Financave dhe Transfereve - Besnik Bislimi (VETËVENDOSJE)
Ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike - Agim Veliu (LDK)
Ministër i Ekonomisë, Punësimit Tregtisë, Industrisë, Ndërrmarrësisë dhe Investimeve Strategjike - Rozeta Hajdari (VETËVENDOSJE)
Ministër i Mbrojtjes - Anton Çuni (LDK)
Ministër i Infrastrukturës dhe Ambientit- Lumir Abdixhiku (LDK)
Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural - Besian Mustafa (LDK)
Ministër i Shëndetësisë - Arben Vitia (VETËVENDOSJE)
Ministre e Kulturës Rinisë dhe Sportit - Vlora Dumoshi (LDK)
Ministre e Administrimit të Pushteti Lokal - Emilia Rexhepi (Grupi 6+, pakicat joserbe)
Ministër për Komunitet dhe Kthim - Dalibor Jevtiç (Lista Serbe)
Ministër për Zhvillim Rajonal – Ivan Milojeviç (Lista Serbe)
Ai tha se siguria e jashtme do të jetë përparësi e qeverisë bashkë më përgatitjet për anëtarësim në NATO. Zoti Kurti tha se askush nuk do të jetë më i fortë se shteti dhe do të luftohet korrupsioni ndërsa paralajmëroi një proces të vetingut në sistemin e drejtësisë.
Ai tha se shërbimi ushtarak do të bëhet i detyrueshëm për të gjithë.
Qeveria e re do të miratojë ligjin për krimet e luftës dhe gjenocidin dhe do të përgatitet padi kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për krimet e luftës në Kosovë.
Zoti Kurti paralajmëroi edhe reforma në sistemin e arsimit dhe ndërprerjen e “rrjedhjes së trurit”. Ai u zotua për qasje të drejtë në shëndetësi dhe rritjen e buxhetit për këtë sistem.
Zoti Kurti tha se në bisedimet me Serbinë do të përfshijnë çështjen e personave të zhdukur, dëmet e luftës, trashëgiminë e ish Jugosllavisë dhe njohjen e ndërsjellë. Ai tha se qeveria e tij do të vendosë reciprocitetin e plotë me Serbinë.
Përfaqësuesit e Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, kritikuan programin dhe përbërjen e kabinetit qeveritar të zotit Kurti, duke vënë theksin tek qëndrimet politike të deritashme të tij.
Pas votimit, zoti Kurti tha se “nga sot, pavarësisht se si dhe kënd keni votuar, unë do të jem kryeministër i të gjithë juve dhe do të dëgjoj zërin tuaj, sidomos kur nuk pajtohemi, sepse ne mund të kemi qëndrime e mendime të ndryshme por ndajmë ëndrra e të ardhme të përbashkët. Sot fillon rruga jonë e punës së madhe dhe të palodhshme për ta sjellë ndryshimin që të gjithë kemi pritur e që vendi ynë ka nevojë. Sot mbaron mënyra e vjetër e të bërit politikë përmes klientelizmit, favoreve e monopolit dhe fillon një etapë e re e qeverisjes me integritet e me dinjitet. Unë ftoj punonjësit në secilin institucion publik që të përqafojnë shtetin e së drejtës, të distancohen e ta denoncojnë korrupsionin, të sfidojnë të korruptuarit e shkelësit e ligjit, sepse nga sot ka një lidership të ri i cili i konsideron aleat të gjithë ata që kujdesen për pasurinë publike por që do të ketë zero tolerancë ndaj korrupsionit”, tha kryeministri Kurti.
Ai theksoi se tani fillon një kapitull i ri edhe i politikës së jashtme.
“Politika jonë e jashtme duhet të jetë unike. Koha kur brenda qeverisë dërgohen mesazhe të ndryshme mbaron sot dhe fillon koha kur flasim me një zë dhe të koordinuar. Atyre që njohin dhe respektojnë vendin tonë ne u themi se do të fuqizojmë bashkëpunimin dhe partneritetin, atyre që hezitojnë të na njohin ne u themi se do të punojmë që të fitojmë njohjen dhe respektin tuaj. Atyre që mohojnë të drejtën tonë dhe që synojnë të na pushtojnë nga jashtë e ta në ndajnë përbrenda, unë u them që Kosova e ka një kryeministër të ri dhe koha kur interesat e personave ishin mbi interesat e shtetit, ka mbaruar. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe kjo është premisa e çdo dialogu, e çdo marrëveshjeje. Ne synojmë bashkërisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian e në NATO, avancimin e bashkëpunimit, afrimin e integrimin me Shqipërinë dhe ta ruajmë e kultivojmë aleancën e partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ai.
Qeverinë e re e presin shumë sfida dhe ndër më të mëdhatë është ajo e procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, e cila refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës.