Policia tha se po heton për motivet dhe autorët e mundshëm të hedhjes së granatës.Ministria e quan sulm ndaj institucioneve të Kosovës.
Policia në Kosovë tha se ka kryer “shpërthimin e kontrolluar” të një granate dore, që ishte vendosur në hyrje të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.
Policia tha se granata ishte gjetur nga punonjësit e ministrisë në orët e mëngjesit dhe për pak kohë, të gjithë punonjësit e saj ishin larguar nga zyrat.
Policia po kryen hetimet dhe një zëdhënës i saj tha se është tepër herët të flitet për autorët apo motivet e mundshme që mund të kenë çuar në këtë veprim.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e cilësoi ndërkaq këtë si një sulm i cili, sic thuhet, “i jep imazh të keq gjithë Kosovës. Aq më tepër kur ky mjet është vendosur në hyrje të Qendrës për Shërbime të Biznesit i cili mund të konsiderohet si sulm i dyfishtë: ndaj institucionit si dhe ndaj bizneseve”.
Duke e dënuar këtë ngjarje, ministria vlerëson se “përveç cenimit të lirisë dhe të drejtave të punëtorëve të Ministrisë së Tregtisë, gjithashtu ky paraqet një sulm ndaj institucioneve dhe shtetit të Kosovës”.