Dy të arrestuar në veriun e Kosovës

Nga një operacion i mëhershëm i policisë së Kosovës

Policia e Kosovës tha se ka arrestuar të mërkurën në mëngjes dy persona, në një operacion në kuadër të hetimeve për ndriçimin e vrasjes së politikanit lokal serb, Oliver Ivanoviç në janar të vitit 2018.

Your browser doesn’t support HTML5

Dy të arrestuar në veriun e Kosovës

Zyrtarë të policisë thanë se një nga të arrestuarit është oficer i policisë së Kosovës, por nuk e bënë të ditur identitetin e tij, si dhe një qytetar tjetër tek i cili janë gjetur armë ta paligjshme.

Policia tha se është në kërkim edhe të një zyrtari të lartë të policisë në veri. Mediet lokale thanë se i kërkuari është Zhelko Bojiç, komandant i policisë në veriun Mitrovicës ndërsa i arrestuari është Rade Basara, që sipas medieve lokale dyshohet për fshehje provash.

Zyrtarë të Beogradit reaguan ndaj operacionit duke akuzuar Prishtinën se po “përpiqet të fajësojë serbët dhe Serbinë” për vrasjen e politikanit serb.

Autoritetet në Kosovë arrestuan në nëntor të vitit 2018 katër veta në lidhje me hetimet për vrasjen, ndërsa kanë lëshuar një urdhër arresti për Milan Radoiçiçin nënkryetar i Listës Serbe, subjekti politik i serbëve të Kosovës i mbështetur nga Beogradi.

Lexoni edhe këtë Katër të arrestuar në veriun e Kosovës

Ai shmangu arrestimin në nëntor të vitit të kaluar dhe iku në Serbi ku autoritetet thanë se ai është i pafajshëm.

Udhëheqësi i nismës qytetare serbe, "Liria, Demokracia, Drejtësia", Oliver Ivanoviç, është vrarë me armë zjarri më 16 janar të vitit 2018 në veriun e Mitrovicës.