Kosovë, miratohet ligji për ndalimin e financimit të terrorizmit

Parlamenti i Kosovës miratoi ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit. Në seancën e zhvilluar pa praninë e opozitës, ligji u miratua me 58 vota për dhe shtatë të paanshme.

Ligji, sipas autoriteteve, lidhet ngushtë me programin e qeverisë për vitet 2015-2018 për luftimin e terrorizmit ndërsa përcakton masat, autoritetet përgjegjëse dhe procedurat për zbulimin, parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.

Autoritetet thonë se ky ligj është tepër i rëndësishëm në këtë periudhë edhe sa i përket luftës kundër krimit, korrupsionit, por edhe parandalimit të financimit të terrorizmit dhe të ekstremizmit.

Vitin e kaluar Kosova miratoi edhe ligjin për parandalimin e bashkimit të qytetarëve të saj në konfliktet jashtë saj, ndërsa është edhe pjesë e koalicionit ndërkombëtar për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

Që nga viti 2012 Kosova është përballur me rastet e para të shkuarjes së qytetarëve të saj në Siri. Që atëherë rreth 300 qytetarë të Kosovës i janë bashkuar konfliktit atje ndërsa aktualisht sipas vlerësimeve të organeve të sigurisë numri sillet në rreth 60 sish. Mbi 60 prej tyre besohet se kanë humbur jetën në ato konflikte.