Kryesia e parlamentit të Kosovës, në mbledhjen e së cilës nuk morën pjesë përfaqësuesit e partive opozitare, vendosi të martën që seanca e radhës të mbahet të hënën më 2 nëntor.
Kryetari i parlamentit, Kadri Veseli, tha se seancat duhet të mbahen pavarësisht paralajmërimeve të partive opozitare se nuk do të lejojnë mbajtjen e tyre.
Që nga 22 shtatori, partitë opozitare po pamundësojnë mbajtjen e seancave të parlamentit në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Serbinë në fund të muajit gusht me të cilat komunave me shumicë serbe u ofrohet një shkallë e gjerë autonomie si dhe marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi.
Seancat e fundit janë përshkuar me tensione, gaz lotsjellës e skena dhune. Natën ndërmjet të premtes dhe të shtunës së kaluar, seanca u mbajt në një sallë tjetër brenda parlamentit, pas përplasjeve që pamundësuan mbledhjen e tij në sallën e zakonshme.
Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtimin e tensioneve politike në Kosovë, ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve, që është edhe kusht për afrimin e tyre me strukturat evropiane. Ato i siguruan Serbisë hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës marrëveshjen e stabilizim asocimit e cila u nënshkrua të martën në Strasbourg.