Partia Demokratike e Kosovës hodhi propozimin që Parlamenti të miratojë një rezolutë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Parlamenti i Kosovës pritet që të enjten te hedh në debat propozimin për miratimin e një Rezolute për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Rezoluta është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, e mbështetur edhe nga partitë tjera të koalicionit qeverisës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në opozitë.
Në tekstin e Rezolutës, që sot është futur në rend dite nga kryesia e parlamentit, parashihet një proces normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, duke zgjidhur, siç thuhet, të gjitha çështjet e hapura ndërmjet dy shteteve sovrane.
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, tha se me këtë rezolutë, Qeveria e Kosovës do të autorizohet që të udhëheqë procesin e ardhshëm të bisedimeve me Serbinë.
Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës, si partia më e madhe në opozitë, tha se është duke e shqyrtuar tekstin e rezolutës së propozuar dhe nuk e komentoi atë.
Rezoluta u kundërshtua nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila vlerëson se ky dokument ka për qëllim ta legjitimojë fillimin e dialogut politik pa kushte me Serbinë dhe siç thuhet, “rezultati i tij do të jetë avancimi i Serbisë drejt Bashkimit Evropian dhe i veriut të Kosovës me Serbinë”.
http://www.youtube.com/embed/ZxJlLRP5E9I
Lëvizja Vetëvendosje thekson se rezolutë të tillë do të duhej të miratonte Serbia e cila nuk ka ndryshuar qasjen ndaj Kosovës, ndërsa kritikoi edhe deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, që siç thuhet, po i bashkohen një qeverie “që kurrë nuk ka qenë më e dobët dhe kurrë nuk e ka dobësuar më shumë Kosovën”.
Çështja e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është pjesë e kushtëzimeve që u janë bërë të dyja vendeve për përfshirjen në procesin e integrimeve evropiane. Serbisë i është kushtëzuar data e fillimit të negociatave për anëtarësim, ndërsa Kosovës, ajo e fillimit të negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit.
Paralajmërimet për mundësinë e vazhdimit të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe mundësisë së ngritjes së nivelit politik të tyre, kanë nxitur shume debate rreth mundësisë që kabineti qeveritar në Kosovë të ndryshojë për të krijuar një koalicion që do të përballej me sfidën e bisedimeve, ku tema më e vështirë thuhet të jetë çështja e veriut të Kosovës të banuar me shumicë serbe, ku nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e Prishtinës.
Përfaqësuesit e pushtetit thonë se koalicioni është i qëndrueshëm, por vëzhguesit tërheqin vërejtjen se koalicioni mund të sigurojë shumicën e thjeshtë parlamentare, por jo edhe qëndrueshmërinë aq të nevojshme politike për të përballur sfidat që ndodhen para Kosovës.
Kjo ka bërë që gjithnjë e më shpesh të përmendet mundësia që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës të bëhet pjesë e qeverisë.