Kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, të banuara me shumicë serbe, dhanë dorëheqje nga postet e tyre dhe shpallën shkëputjen e të gjitha komunikimeve me Prishtinën.
Ata nënshkruan një deklaratë të përbashkët në të cilën theksuan se “vendimi është marrë për shkak të ngritjes së takës në 100 për qind për mallrat serbe, përmes së cilës serbëve të Kosovës u është kërcënuar e drejta për jetesë, për shërim dhe mbijetesë, gjë që çon në krizë edhe më të thellë”.
Ata akuzuan Prishtinën edhe për arrestimet “e paligjshme” dhe “shkeljen e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara” si dhe të vet dokumenteve të miratuara nga Prishtina për respektimin e të drejtave të serbëve.
Your browser doesn’t support HTML5
Dorëheqjet e tyre u paralajmëruan fillimisht nga shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë Marko Gjuriç, i cili tha se edhe punonjësit e gjykatave në veri do të braktisin punën deri në zgjidhjen e situatës së krijuar pas veprimeve të Prishtinës.
Qeveria e Kosovës vendosi më 21 nëntor një taksë prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, si kundërpërgjigje ndaj fushatës serbe kundër shtetësisë së Kosovës, duke nxitur reagimin e zemëruar të Beogradit dhe serbëve të Kosovës.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i kërkuan Kosovës të heqë këtë taksë dhe të punojë me Serbinë për një marrëveshje normalizimi marrëdhëniesh, që është kusht për integrimet evropiane.
Taksa nxiti tensione në marrëdhëniet ndërmjet të dyja vendeve dhe protesta në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.
Nuk pati një reagim të menjëhershëm të qeverisë së Kosovës pas vendimeve të sotme në veri, ndërsa kryetari i parlamentit, Kadri Veseli shkroi se “dorëheqja e katër kryetarëve të komunave veriore të Republikës së Kosovës është një vendim i ngutur dhe i dëmshëm për qytetarët e këtyre komunave si dhe për klimën e marrëdhënieve mes komuniteteve në Kosovë”. Ai u bri thirrje qytetarëve të veriut “për vetëpërmbajtje, për një reagim të qetë dhe të ekuilibruar ndaj situatës së krijuar ditëve të fundit”.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa tha se qeveria dhe parlamenti duhet të mblidhen për të diskutuar situatën në atë zonë.
Më herët të martën forcat paqeruajtëse të NATO-s thanë se do të kryejnë ushtrime në veri duke siguruar banorët se ato janë të planifikuara dhe nuk kanë të bëjnë me zhvillimet e fundit atje. “Situata është nën kontroll dhe KFOR-i vazhdon të mbrojë të gjithë qytetarët e Kosovës, ashtu siç ka bërë që nga viti 1999”, thuhet në një njoftim të forcave të KFOR-it.
Kosova dhe Serbia tashmë shtatë vjet janë duke biseduar rrugët e normalizimit të marrëdhënieve. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, gjatë verës kërkuan mbështetje ndërkombëtare për një marrëveshje normalizimi ndërmjet të dyja vendeve, përfshirë edhe mundësinë e prekjes së kufijve.
Presidenti Thaçi ka përsëritur për muaj të tërë se angazhohet për korrigjim kufiri që nënkupton bashkimin e luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, me Kosovën. Por, ai mbeti pothuajse i vetmuar në Kosovë ku idetë e tij po kundërshtohen jo vetëm nga opozita por edhe pjesa më e madhe e koalicionit qeverisës.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha ditëve të fundit se ideja e tij për kufizimin ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, nuk gjeti mbështetje në Serbi. Ideja e tij nënkupton ndarjen e Kosovës, përkatësisht që veriu t’i takojë Serbisë.
Këto ide nxitën reagime të shumta në Kosovë dhe në Serbi, por edhe në skenën ndërkombëtare, ndërmjet atyre që do ta pranonin një marrëveshje që arrihet mes palëve dhe atyre që e kundërshtuan sikurse Gjermania që ishte më e zëshmja kundër ideve të tilla që sipas saj, mund të nxisin reagime e kërkesa të ngjashme edhe në pjesët tjera të rajonit të Ballkanit.