KFOR: Vazot në urën kryesore në Mitrovicë – politikisht të motivuara

Serbët zëvendësuan me vazo barrikadën e vendosur tre vjet më parë në urën qendrore mbi lumin Ibër, që shënon edhe vijën ndarëse të këtij qyteti.
Forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë e cilësuan veprim politikisht të motivuar bllokimin e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë me vazo ku janë mbjellë drunj dekorativ nga ana e pjesëtarëve të komunitetit serb.

Grupe qytetarësh serbë në veriun e Mitrovicës, larguan të mërkurën në orët e mëngjesit një barrikadë prej dheu e betoni të vendosur tri vjet më parë në urën qendrore mbi lumin Ibër, që shënon edhe vijën ndarëse të këtij qyteti në veriun e banuar me shumicë serbe dhe jugun me shumicë shqiptare. Por pak orë më vonë në të njëjtin vend vendosën vazo betoni ku janë mbjellë drunj dekorativ.

Barrikada mbi urën kryesore ishte më e madhja e barrikadave që u ngritën në korrik të vitit 2011 në shenjë kundërshtimi ndaj ndërhyrjes së forcave të posaçme të policisë së Kosovës për të vënë nën kontroll vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në veri. Një pjesëtar i policisë së Kosovës qe vrarë në një pritë më 26 korrik të vitit 2011, ndërsa trazirat e dhunshme përfshinë veriun që nuk pajtohet me vendosjen e autoritetit të Prishtinës në zonë.

Kryetari i komunës veriore të Mitrovicës, Goran Rakiç, tha se veprimet ishin të bashkërenduara me qeverinë e Serbisë dhe se në pjesën veriore të urës do ngrihet siç tha ai parku i paqes. Ai tha se urat, kudo në botë, bëhen për të lidhur njerëzit, por kjo është bërë simbol i ndarjes dhe pamundësisë për një jetë normale dhe të qetë në mes të pjesëtarëve të komunitetit serb dhe shqiptar.

Heqja e barrikadës së vjetër pasoi takimet e udhëheqësve serbë me përfaqësues ndërkombëtarë përfshirë gjeneralin italian Salvatore Farina komandant i forcave paqeruajtëse të NATO-s.

Në një njoftim të këtyre forcave thuhet se KFOR-i mirëpret vendimin për heqjen e barrikadës. Ngritja e parkut e pengon lirinë e lëvizjes me automjete, por ka rrugë alternative dhe ura të tjera në Mitrovicë. Dëshira për të mbajtur urën ende të mbyllur për makina me anë të një kopshti është veprim shumë simbolik dhe politikisht i motivuar, thuhet në deklaratën e KFOR-it, zyrtarët e të cilit thanë se megjithatë zhvillimet e së mërkurës janë një hap pozitiv përpara që do të mund të mbështesë pajtimin.

Më herët gjatë ditës kryeministri në largim, Hashim Thaçi, mirëpriti siç thuhet në një deklaratë për medie, heqjen e barrikadës mbi lumin Ibër, duke u zotuar edhe për mbështetje financiare për veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe ku ende rezistohet ndaj shtrirjes së autoritetit të Prishtinës. Ai tha se heqja e barrikadës është edhe një dëshmi tjetër e zbatimit me sukses të marrëveshjes së 19 prillit 2013, të arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve të pavarura.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës por është angazhuar në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Angazhimi në këto bisedime i siguroi Serbisë hapjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Gjatë këtij muaji, Bashkimi Evropian do të vlerësojë përmbushjen e kritereve të përcaktuara për Serbinë në kuadër të bisedimeve për anëtarësim, me theks të posaçëm në kapitullin që ka të bëjë me Kosovën, përkatësisht me zbatimin në terren të marrëveshjeve.