Raporti i fundit i organizatës “Gazetarët pa kufij” e nxori Kosovën pesë vende më lart sesa vitin e kaluar, duke lënë prapa vendet e rajonit. Por kjo ngritje, thonë përfaqësues të gazetarëve në Kosovë, nuk mund të lë nën hije faktin se gazetarët përballen me pengesa në punën e tyre të përditshme, me kërcënimet dhe me pasiguri financiare.
Your browser doesn’t support HTML5
Kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli, thotë për Zërin e Amerikës se në ditën ndërkombëtare të lirisë së shtypit gjendja e gazetarëve në Kosovë nuk është e mirë, duke pasur parasysh vështirësitë me të cilën përballen.
“Përderisa vitin e kaluar kemi shënuar dhe reaguar për gjithsej 20 raste të kërcënimeve të gazetarëve, këtë vit faktikisht vetëm brenda katër muaj që ne kemi 10 raste për të cilat kemi reaguar si rrjedhojë qoftë e kërcënimeve, linçimeve, sharjeve, fyerjeve dhe gjërave tjera që ju kanë ndodhur gazetarëve gjatë këtij viti”, tha ajo.
Zonja Begolli thotë se derisa gazetarët në botë janë përqendruar në raportimin e pandemisë COVID-19, në Kosovë ata janë përballur edhe me krizën politike në vend.
“Gazetarët tanë kanë një barë të dyfishtë duke i apstrahuar edhe barrët tjera që janë mbi supet e tyre sikurse që kemi të bëjmë me gazetarët që janë larguar tashmë nga vendet e tyre të punës apo edhe gazetarët që çdo ditë janë duke u paralajmëruar qoftë për zvogëlim të pagave apo edhe për reduktim të stafit. Janë sfidat e panumërta me të cilat po ballafaqohen gazetarët sot në Kosovë, jo vetëm gazetarët por edhe kameramanët, fotoreporterët dhe punonjësit tjerë medial dhe kjo na flet për një situatë shumë të rënduar”, tha zonja Begolli.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett tha se një demokraci e fortë inkurajon një shtyp të lirë, që e mban publikun të informuar, mundëson një larmi zërash dhe i mban udhëheqësit përgjegjës.
Shefi i misionit të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, Jan Brathu nëpërmjet një video mesazhi tha se kohët sfiduese me të cilat po përballet bota, e vendosin profesionin e gazetarëve nën stres dhe tension të madh.
“Fatkeqësisht, janë regjistruar 7 (shtatë) raste të frikësimeve dhe sulmeve ndaj punëtorëve medial dhe gazetarëve, që nga fillimi i pandemisë COVID-19 dhe vendosja e masave urgjente shëndetësore. Ne jemi të brengosur për secilin nga këto raste. Misioni ynë do të vazhdojë të përcjellë secilin rast veç e veç, se si do të ndiqet nga organet kompetente dhe nëse shkaktarët do të ndiqen penalisht. Ne jemi të shqetësuar pasi këto sulme shkelin jo vetëm të drejtat individuale të gazetarëve, por gjithashtu kërcënojnë ta kufizojnë lirinë e medieve dhe lirinë e shprehjes në përgjithësi”, tha ambasadori Brathu, duke tërhequr vërejtjen se edhe tek rëndësia e raportimit të drejtë të medieve.
“Kohët e fundit kemi qenë dëshmitarë të rasteve ku standardet gazetareske janë shkelur. Misioni ynë i ka kritikuar këto shkelje të së drejtës mbi privatësinë e individëve pasi që disa mediume kanë publikuar emrat e personave të cilët janë urdhëruar të hyjnë në karantinë apo kanë qenë të dyshuar që janë infektuar me virusin COVID-19. Ne vazhdojmë të kërkojmë nga të gjithë gazetarët të raportojnë me përgjegjësi, t’i përmbahen kodit të etikës, dhe t’i ushtrojnë standardet profesionale të raportimit”, tha zoti Brathu.
Zonja Begolli thotë se trysnia ndaj gazetarëve ushtrohet nga politika dhe grupet e ndryshme të interesit ndërsa në situatën aktuale politike janë shtuar kërcënimet dhe gjuha linçuese ndaj gazetarëve.
“Në anën tjetër kemi edhe një problem jashtëzakonisht shumë të madh sepse çdo ditë e më shumë ne nuk po dimë se nga kush po financohen mediat sidomos ato online apo kush po qëndron prapa këtyre mediave dhe kjo me automatizëm po i detyron gazetarët që fatkeqësisht pa vullnetin e tyre t’i nënshtrohen qoftë cenzurës apo edhe të detyrohen në vet censurë me qëllim që ta ruajnë vendin e tyre të punës”, tha zonja Begolli.
Lexoni edhe këtë RSF për lirinë e medias: Rënie në Shqipëri, ngritje në KosovëRaporti i fundit i organizatës “Gazetarët pa kufij” e nxori Kosovën në vendin e 70-të, në treguesin e vitit 2020 për lirinë e shtypit në botë. Por, disa nga shqetësimet e përbashkëta sipas raportit janë sulmet fizike dhe verbale ndaj gazetarëve, sulmet në internet ndaj medieve si dhe mungesa e transparencës së pronësisë së medieve.