Sipas rezultateve paraprake të raundit të dytë të zgjedhjeve për pushtetin komunal, të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, konkurrenca më e fortë ishte në Prishtinë, ku kryeson kandidati i lëvizjes Vetëvendosje Shpend Ahmeti.
Aktualisht ai ka rreth 250 vota më shumë se kandidati i i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Arban Abrashi. Edhe më tej nuk janë numëruar rreth 1 mijë e 500 vota të hedhura me kusht dhe nëpërmjet postës.
Në Prizren pas shumë vitesh qeverisjeje nga Partia Demokratike e Kosovës, rezultatet paraprake e nxorën fitues kandidatin e lëvizjes Vetëvendosje, Mytaher Haskuka, që prinë me rreth 300 vota më shumë se kundër kandidati i tij. Lëvizja Vetëvendosje arrit fitore edhe në komunën e Kamenicës.
Ndryshime pati edhe në komunën e Ferizajt e cila pritet të udhëhiqet nga Partia Demokratike, e cila humbi ndërkaq përballë Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në dy komuna tjera, në Klinë dhe në Rahovec. Po ashtu Partia Demokratike ka humbur edhe komunën e Vushtrrisë, ku ka fituar kandidati i Lidhjes Demokratike, ndërsa kandidatja e saj për komunën e Mitrovicës humbi përballë kryetarit aktual, Agim Bahtiri nga Aleanca Kosova e Re.
Lidhja Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të drejtojë komunën e Gjilanit, atë të Podujevës dhe të Istogut, ndërsa është në garë të ngushtë në komunën e Dragashit me Partinë Demokratike të Kosovës.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është fituese në komunën e Gjakovës, që drejtohej deri tash nga Mimoza Kusari Lila, si dhe në komunën e Suharekës, që drejtohej nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Nisma për Kosovën, arriti të ruaj pushtetin në komunën e Malishevës.
Tashmë pas raundit të dytë që të dhjetë komunat me shumicë serbe drejtohen nga Lista Serbe, që gëzon mbështetjen e Beogradit.
Rreth 40 për qind e mbi një milion e 300 mijë qytetarëve me të drejtë vote morën pjesë në raundin e dytë të zgjedhjeve për pushtetin komunal në Kosovë. Votimet u mbajtën në 19 komuna të vendit, ndërsa në komunën e Parteshit të banuar me shumicë serbe u përsëriten zgjedhjet e anuluara, pas parregullsive të regjistruara në raundin e parë.
Mbi 12 mijë vëzhgues vendas e ndërkombëtarë ndoqën procesin e votimeve dhe sipas tyre nuk janë regjistruar incidente të një shkalle që mund të dëmtonte procesin.
Vëzhguesit thonë se edhe në raundin e së dielës janë përsëritur parregullsitë tradicionale, siç janë votimet familjare, përpjekjet për votim të dyfishtë etj.
Gjithsej 38 kandidatë të partive politike konkurruan për postet e kryetarëve të komunave.
Policia e Kosovës tha se procesi zgjedhor u zhvillua pa incidente serioze.