Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi shpalli të hënën vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë komunash në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, të banuara me shumicë serbe.
Zgjedhjet do të mbahen më 19 maj të këtij viti.
Të katër komunat janë pa kryetarë që nga 27 nëntori i vitit të kaluar kur ish kryetarët dhanë dorëheqje në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për të vendosur tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe.
Tarifat qenë vënë më 21 nëntor nga qeveria e Kosovës, si kundërpërgjigje ndaj fushatës serbe kundër shtetësisë së Kosovës, duke nxitur reagimin e zemëruar të Beogradit dhe serbëve të Kosovës.
Vendosja e tarifave bllokoi edhe procesin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa qeveria e Kosovës refuzoi të heqë dorë prej tyre me gjithë trysninë nga Bashkimi Evropian por edhe Shtetet e Bashkuara.