Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se është vendosur heqja e tarifave për lëndën e parë nga Serbia e Bosnja dhe një prilli tarifat do të zëvendësohen me masa të reciprocitetit të plotë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha qeveria e tij vendosi të lirojë nga tarifa 100 për qind importin e lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina.
Në një postim ai tha se vendimi u mor më 10 vota për dhe dy abstenime në mbledhjen e qeverisë, ku nuk u përfshinë ministrat e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Sonte, nga ora 24:00 do të hapen gjashtë pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, për importimin e lëndës së parë. Kurse, deri më 1 prill Qeveria e Kosovës do të nxjerr një vendim tjetër për vënien e masave të reciprocitetit në vend të tarifës 100 për qind”, shkroi ai.
Vendimi i sontëm është në vijë me qëndrimin e zotit Kurti të shprehur më 26 shkurt për heqjen e kushtëzuar të tarifave ndaj mallrave serbe, që nuk ishte mbështetur nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe ishte cilësuar si një “masë gjysmake” nga ambasadori Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidenti Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi.
Lexoni edhe këtë Grenell: Nuk i mbështesim masat gjysmake të KurtitMospajtimet rreth tarifave ndërmjet kryeministrit Kurti dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, shkaktuan përçarje që kulmuan të mërkurën me shkarkimin e ministrit të Brendshëm.
Lidhja Demokratike që i kishte kërkuar zotit Kurti heqjen e plotë të tarifave sipas kërkesës amerikane, të premten dorëzoi në parlamentin e Kosovës një mocion për rrëzimin e qeverisë.
Në nëntor të vitit 2018, qeveria e Kosovës vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj qasjes së Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës.
Beogradi kushtëzon vazhdimin e bisedimeve për normalizim marrëdhëniesh me Kosovës me heqjen e këtyre tarifave, por ish qeveria e Ramush Haradinajt refuzoi çdo përpjekje të diplomacisë perëndimore për ta bindur për një gjë të tillë.
Të premten ai kritikoi ashpër vendimin e kryeministrit Kurti.
Në një postim në rrjetet sociale ai tha se qeveria në largim nuk mundi të ikë pa e hequr taksën! Në pikën 1 hiqet taksa për lëndën e parë kurse në pikën 3 të vendimit obligon veten për heqje të plotë të taksës me 1 prill. Me këtë e zhvlerësoi kundërvlerën për marrëveshjen finale dhe e humbi plotësisht kreditin te partnerët ndërkombëtarë, e posaçërisht te SHBA-ja. Ashtu si e kishte fillimin e turpshëm, Qeveria në ikje gjithashtu po largohet me turp”, shkroi ai.
Zoti Haradinaj i ka dhënë mbështetje mocionit Lidhjes Demokratike për rrëzimin e qeverisë.