Hetohet një sulm mbi gazetarët e Gazetës Blic në veri të Kosovës

Policia e Kosovës tha se po kryen hetime rreth një sulmi ndaj ekipit të gazetarëve të Gazetës Blic në veriun e Mitrovicës, të banuar me shumicë serbe.

Sipas Gaztës Blic, ekipi i saj ishte afruar pranë një dyqani ku shitej miell për të biseduar me qytetarët që prisnin në radhë kur janë sulmuar nga dy perosna.

Gazetari Nebi Maxhuni është trajtuar në spitalin e qytetit të Mitrovicës pas sulmit.

Zëvendës komanndati i policisë në veriun e Kosovës, Besim Hoti, i tha Zërit të Amerikës se është njoftuar prokurori kujdestar rreth këtij incidenti të cilin policia po e trajton si “sulm fizik”.

“Kemi bashkëbiseduar me viktimën, kemi marrë përshkrimin e mundshëm të sulmuesve dhe ekipet hetimore janë në kërkim të dëshmitarëve apo provave, kryesisht të kamerave në vendin e ngjarjes ose përreth ku ne mendojmë se mund të ketë pamje të mundshme nga ky sulm. Do të bëjmë të pamundurën që të zbulojmë sulmuesit e këtij rasti”, tha zoti Hoti.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kërkon nga organet e sigurisë që sa më parë ta hetojnë këtë rast.

“Sulmi i tillë ndaj gazetareve është akt i shëmtuar dhe skandaloz i cili nuk përkon me një shoqëri të lirë dhe demokratike. Vlerësojmë se aktet e tilla nuk janë të drejtuara vetëm ndaj individëve, por ndaj lirisë së medieve, fjalës së lirë dhe ndaj të drejtës së qytetarëve për të qenë të informuar”, thuhet në reagimin e kësaj shoqate të gazetarëve në Kosovë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dënoi sulmin ndaj gazrtarëve, duke bërë thirrje që të gjithë të “ruajnë qetësine dhe të përmbahne nga aktet e dhunës. Gzetarët duhet të jenë në gjendje të bëjnë punën e tyre pa frikë dhe trysni. Të gjithë jemi bashkë në luftën kundër virusit COVID19”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u shpreh i shqetësuar me njoftimin për sulmin, duke bërë thirrje që “organet e rendit të zbardhin sa më shpejtë këtë akt kriminal e që përveç tjerash është edhe cenim jo vetëm i gazetarisë, por edhe lëvizjes së lirë. Na ka rënë shpesh të theksojmë këto ditë, megjithatë nuk është e tepërt të thuhet sërish që liria e mendimit, fjala e lirë e kësisoj gazetaria dhe shpalosja e së vërtetës jo që nuk guxojnë të sulmohen, por janë nevojë e domosdoshmëri. E vërteta gjithmonë duhet të thuhet e të shpaloset, ndërkohë institucionet tona do ta garantojnë një gjë të tillë”, shkroi ministrja Haxhiu në rrjetet sociale.

Edhe udhëheqës institucionesh e partish politike e dënuan rastin duke u bërë thirrje organeve të rendit për ndriçimin e plotë të tij dhe mbrojtjen e gazetarëve.