Bashkësia Islame e Kosovës dënoi ashpër të martën sulmin e së hënës mbrëma në Mançester që la pas vetes 22 të vrarë dhe 59 të plagosur.
Në një deklaratë të kryetarit të kësaj bashkësie, Naim Tërnava, thuhet se "akti në Mançester, ku nga sulmi terrorist humbën jetën qytetarë të pafajshëm është vepër e shëmtuar e atyre që nuk ia duan të mirën e njerëzimit. Autorët e akteve të tilla barbare përmes dhunës, terrorit e frikës, duan të arrijnë qëllimet e tyre të errëta - atakimin e vlerave humane, të lirisë, të tolerancës dhe mirëbesimit".
Duke u shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave dhe të plagosurve shërim të shpejtë, kryetari Tërnava thekson se "me qeverinë dhe popullin mik të Mbretërisë së Bashkuar bashkëndiejmë dhimbjen dhe njëkohësisht shprehim mbështetjen tonë që autorët e këtij akti sa më parë të dalin para drejtësisë".
Sulmi në Mançester është dënuar ashpër edhe nga përfaqësues të institucioneve e partive politike në Kosovë, të cilët shprehën solidaritet me popullin dhe qeverinë britanike.