Mustafa: Çështja e veriut nuk zgjidhet me Serbinë

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa tha se pa trysninë e SHBA dhe BE Serbia nuk heq dorë nga synimi që të mbajë peng Kosovën nëpërmjet veriut të saj
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se qeveria duhet të sqarojë marrëveshjet me Serbinë, meqë ato po nxisin mëdyshje. Ai tha se çështja e veriut të Kosovës nuk mund të zgjidhte pa trysninë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian mbi Serbinë e cila synon të mbajë peng Kosovën nëpërmjet veriut të saj. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi, zoti Mustafa tha se reforma kushtetuese varet nga respektimi i marrëveshjes që solli në krye të vendit presidenten Atifete Jahjaga.

http://www.youtube.com/embed/w9G7Du_mtfs

Zëri i Amerikës: Zoti Mustafa, Kosova po e mbyllë vitin duke qenë e përfshirë në një proces bisedimesh me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Si e vlerësoni rrjedhën e këtyre bisedimeve?

Isa Mustafa: Po ne nuk kemi shume lëvizje gjatë këtyre bisedimeve. Kryesisht është biseduar për marrëveshje teknike që janë arritur gjatë periudhës së kaluar kohore, Praktikisht nuk ka ndodhur ndonjë gjë gjatë kësaj periudhe që do të fliste se çfarë do të jetë përmbajtja e këtyre bisedimeve. Kemi pasur informata nga kryeministri pas kthimit të tij lidhur me atë se çfarë është biseduar atje. Mirëpo, kjo çfarë po del tani në opinion nga goja e pjesëmarrësve të Serbisë në bisedime dhe ajo çfarë është thënë nga kryeministri del se nuk ka përputhshmëri të fortë, prandaj mund të ketë të themi dilema edhe në opinion edhe tek ne se çfarë vërtetë janë marrëveshjet përfundimtare, qoftë edhe marrëveshja për menaxhimin e kufijve, sepse, deklaratat, ndryshe kanë qenë të kryeministrit dhe dalin tash ekipet punuese dhe thonë që, ne kemi dhënë një afat të importeve të mallrave pa doganë. Shtrohet pyetja, kush kënd e ka autorizuar ta bëjë atë, sepse, derisa janë ligjet në fuqi, përderisa është kushtetuta në fuqi, ne konsiderojmë se duhet të zbatohen. Në qoftë se do të ndryshojë diçka, duhet të ndryshojë përmes Kuvendit të Republikës së Kosovës, sepse kuvendi ka pru ligjet, kuvendi mund t’i ndryshojë ligjet dhe nuk janë individët ata që mund të bëjnë lëshime, qofshin edhe ato lëshime, siç thonë, të një mirëkuptimi të përkohshëm, sepse ligjet nuk zbatohen me mirëkuptim, por zbatohen me konsekuencë. Prandaj, në këtë aspekt unë mendoj se duhet të kërkojmë që të bëhen korrigjime në mënyrë që të dihet qartë se çfarë po bisedohet atje dhe cilat janë marrëveshjet, që informatat në kuvend të jenë informata të shkruara, prapa të cilave qëndron qoftë kryeministri, qoftë ekipet të cilat e zhvillojnë dialogun me Serbinë, në mënyre që pastaj kuvendi të mos ketë probleme ose të mos ketë dy mendësi në kuvend lidhur me përkrahjen apo mospërkrahjen e rezultateve të këtyre bisedimeve.

Zëri i Amerikës: A besoni në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe si e shihni përfundimin e tyre?

Isa Mustafa: Tash, meqenëse jemi futur ne një proces, ne të gjithë duhet t’i besojmë atij procesi. Përvoja nga e kaluara na flet se në vështirë që mund të arrijmë me Serbinë të merremi vesh. Dhe unë dyshoj që është e mundur që të arrijmë ndonjë marrëveshje të themi, në këtë përbërje me Serbinë. Marrëveshja mund të arrihet vetëm me një trysni shumë më të madhe të faktorit ndërkombëtar në rend të parë të SHBA dhe BE-së. Ndryshe Serbia nuk respekton asgjë. Ajo po shihet tash edhe prej dokumentit që ata e kanë nxjerrë para dy ditësh si platformë për Kosovën, ku ata kthehen në periudhën e kaluar, edhe në periudhën e paraluftës dhe dëshirojnë të imponojnë tani një organizim dhe një sistem në Kosovë pa asnjë skrupull. Punë tjetër që është dëshirë e tyre, është një intencë që ata të involvohen dhe të përzihen në punë të brendshme të Kosovës, që të imponojnë një zgjidhje që ne nuk do ta pranojmë në asnjë rast. Mirëpo, vet fakti që ata e kanë bërë një akt të tillë, flet se ata nuk po punojnë për një marrëveshje dhe se marrëveshjen e kanë vetëm një akt të tyre që të arsyetohen para publikut. Por, në esencë ata nuk dëshirojnë që marrëveshja të arrihet. Nuk dëshirojnë që problemet të zgjidhet, pr dëshirojnë që Kosovën ta mbajnë peng përmes veriut dhe që të imponojnë dëshirat e tyre dhe apetitet e tyre, të cilat i kanë pasur më parë në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Dhe veriu pritet që të jetë pjesa tjetër e vështirë e bisedimeve që do të vazhdojnë në janar. Duke pasur parasysh veçantitë e asaj pjese të Kosovës, si e shihni përfundimin e këtij procesi?

Isa Mustafa: Po unë mendoj se zgjidhja e këtij problemi, në rend të parë është e lidhur me krijimin e mirëbesimit në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe popullatës serbe që jeton në veri të vendit. Ajo është me më rëndësi sesa që ne atë problem ta zgjidhim me Serbinë. Sa i përket Serbisë, ne problemin nuk mund ta zgjidhim me bisedime sepse në asnjë moment nuk do të pajtohen që t’i tërheqin mbi dy mijë trupa që i kanë atje, qoftë të MPB-së, qoftë të shërbimeve të tyre informative, qoftë të trupave tjerë që i mbajnë në formë legale atje, por ilegale për në, në pjesën e veriut të vendit, në qoftë se ata nuk e kanë një trysni të BE-së dhe SHBA-s. Ata nuk e bëjnë atë në bazë të themi, të një dëshire apo një vullneti demokratik dhe të një vullneti të mirëbesimit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore me Kosovën, sepse, po ta kishin mendjen për ta bërë atë nuk do të na krijonin këtë situatë në veri të vendit. Ajo që ne duhet të bëjmë, është që ne maksimalisht të mundohemi të vendosim vija komunikimi me popullatën serbe atje, jo me strukturat e Serbisë që janë në veri të vendit dhe ata që janë të dirigjuar nga ato struktura, që të punojmë në zhvillimin ekonomik, arsimor, social dhe integrimin e asaj pjese, sepse kemi informata që njerëzit atje nuk janë shumë të lumtur me atë çfarë po përjetojnë nga trysnia e grupeve paralele që veprojnë atje dhe të cilat kryesisht janë për interesa ekonomike, për evazion fiskla, për përfitime të ndryshme ekonomike. Për fat të keq, disa prej tyre edhe të lidhur me pjesën tjetër të tregtarëve dhe keqbërësve edhe nga popullata shqiptare. Por, assesi unë mendoj se mund të vazhdojmë bisedime, ne mund të ulemi, mund të krijojmë tensione të brendshme, mund të krijojmë averzione të brendshme politike, kundërvënie politike në kuvend e jashtë kuvendit, por ne nuk mund ta zgjidhim atë problem nëse BE nuk është i përkushtuar dhe nuk është i vendosur që t’i bëjë trysni Serbisë, që të tërheq forcat e veta paramilitare dhe forcat tjera nga veriu i vendit.

Zëri i Amerikës: Zoti Mustafa, po u kthehem pak detyrave të pakryera të shtëpisë, nëse mund të shprehem kësisoj, Kosova po përmbyllë vitin pa përfunduar reformën kushtetuese e zgjedhore. Ku ka ngecur procesi?

Isa Mustafa: Procesi sa i përket reformës kushtetuese ka ngecur aty ku ka qenë. Marëveshja nuk është zbatuar nga Partia Demokratike. Nuk kanë treguar vullnet te zbatohet duke u thirrë në një vendim të Gjykatës kushtetuese, Mirëpo, ai vendim nuk e pengon që marrëveshja të zbatohet, sepse ka mundësi të tjera, sepse me marrëveshje nuk është përcaktuar se a do të shkojmë në zgjedhje përmes amendamentit të dhjetë ose përmes shkurtimit me kushtetutë të mandatit të presidentit ose presidentes, apo forma të tjera, vetëm se është thënë se mandati i presidentit zgjatë gjashtë muaj pasi që të bëhet ndryshimi i kushtetutës që do të zgjasë mes gjashtë dhe nëntë muajve. Do të thotë çështja ka mbetur aty. Ne nuk kemi asnjë arsye si LDK të votojmë ndryshimet kushtetuese që nuk janë në harmoni me marrëveshjen që e kemi arritur, sepse, përmes kësaj, ne tregojmë se nuk jemi konsekuentë në marrëveshje dhe përmes kësaj ne praktikisht ne ju japim fuqi atyre që nuk respektojnë marrëveshjen. Unë mendoj se është edhe në vullnetin dhe në detyrën e PDK-së, por edhe në vullnetin e presidentes së Republikës së Kosovës që të bëjmë lëvizje në mënyrë që të krijojmë mundësi në aprovimin e ndryshimeve kushtetuese, por me kusht që zgjedhjet do të shpallen gjashtë muaj, ose brenda gjatë muajve pasi që të bëhen ndryshimet kushtetuese dhe pastaj në qoftë se vlerësohet se presidentja e tashme, po e bën punën mirë, ka përkrahjen e brendshme, përkrahjen ndërkombëtare, ajo do të ishte një kandidate e cila do të kandidojë, do të kemi edhe kandidatë të tjerë dhe për ne ai që fiton votën e qytetarëve të Republikës së Kosovës, ai do të jetë presidenti më i mirë i këtij vendi.

Zëri i Amerikës: Por, ju e keni drejtuar trysninë ndaj presidentes Jahjaga. Përse, kur ajo nuk ishte pjesë e marrëveshjes por prodhim i saj?

Isa Mustafa: Po, është e vërtetë por si prodhim i marrëveshjes, ajo i ka pranuar kushtet e kësaj marrëveshjeje. Ditën e fundit kur ne e kemi përmbyllë marrëveshjen dhe kur jemi pajtuar që zonja Jahjaga të jetë kandidate për presidente, ajo është ftuar në ambasadën amerikane ku ne e kemi zhvilluar marrëveshjen, kemi biseduar me të, e kemi njoftuar lidhur me hollësitë e marrëveshjes dhe lidhur me atë se si mendojmë që të procedohet me marrëveshjen. Ajo i ka pranuar ato kushte aty dhe jo vetëm aty por edhe gjatë deklarimit në kuvend, në momentin kur është zgjedhur dhe e ka marrë mandatin. Dhe ne kemi besuar se ajo do të realizohet. Prandaj, dëshirojmë që të kemi një president që i përmbahet një marrëveshjeje, pa marrë parasysh a është involvuar drejtpërdrejt apo në mënyrë indirekte në atë marrëveshje dhe po ashtu një president, përkatësisht presidente, e cila të shpreh vullnetin politik të qytetarëve dhe të subjekteve politike. Tash ajo nuk mund të shpreh vullnetin politik të votuesve të LDK-së, sepse i ka marrë votat e deputetëve të LDK-së si vota që janë dhënë për një rast të caktuar dhe për një periudhë të caktuar kohore. Ajo votë nuk është mirë të shkelet sepse pastaj ne nuk do të japim besimin që ajo të shpreh edhe vullnetin tonë, për arsye se në një formë, atë vullnet po e shkelë.

Zëri i Amerikës: Hipotetikisht, nëse presidentja Jahjaga vendosë të dëgjojë kërkesën tuaj dhe të paraqes dorëheqjen e saj, a nuk është kjo hapje e një krize të re institucionale, meqë nuk ka ndryshime kushtetuese, as përgatitje për zgjedhje të reja?

Isa Mustafa: Po unë mendoj se ajo nuk duhet vetëm të dëgjoj zërin e LDK-së. Unë mendoj se ajo duhet të dëgjoj zërin e marrëveshjes politike dhe detyrën që rrjedh nga një rezolutë që është miratuar në Kuvendin e Kosovës, sepse ajo marrëveshje është shndërruar në një rezolutë e cila pikë për pikë i noton çështjet për të cilat jemi marrë vesh. Ne nuk do të hyjmë në asnjë krizë, për arsye se do të shpallen në mënyrë të rregullt zgjedhjet për president. Derisa të zgjidhet, presidentja e tanishme, me një vendim të kuvendit, ose sipas mandatit që i takon, do të kryente detyrën e presidentes dhe ne nuk shohim asnjë arsye që të kemi vakuum ose krizë institucionale. Është çështje vetëm e një marrëveshjeje që ne t’i hyjmë një procesi që e çojmë bashkërisht deri në fund.

Zëri i Amerikës: Çfarë po i kërkoni presidentes Jahjaga? Dorëheqje apo premtim...?

Isa Mustafa: Në këtë rast ne kërkojmë që ajo të zotohet se do të respektojë marrëveshjen. Të zotohet para kuvendit, në mënyrë që ai zotim pastaj të mundësojë që ne të hapim rrugë për të votuar ndryshimin e kushtetutës dhe që kuvendi të marrë vendim që të shpallen zgjedhjet gjashtë muaj pas ndryshimeve. Kjo nënkupton që presidentja mbetet ta kryej punën. Por, kjo nënkupton gjithsesi që presidentja është një presidente e cila ka një mandat të kufizuar derisa të kryhen zgjedhjet për presidentin.

Zëri i Amerikës: A është LDK e gatshme për të hyrë në një proces të ri zgjedhor?

Isa Mustafa: Po ne jemi të përgatitur. Ne nuk insistojmë që të bëhen zgjedhjet për president të vendit sepse kemi një kandidat që dëshirojmë ta bëjmë president, sepse nuk mund të paragjykojmë se kush do të bëhet. Ne do të japim kandidatin tonë, ndonëse nuk jemi përcaktuar se kush do të jetë ai, por dëshirojmë aq ai president që vjen të jetë president që ka lidership, do të ketë autoritet. Një president që më nuk do të lerë hapësirë që të na thërrasin përfaqësuesit e jashtëm diplomatik çdo javë apo çdo dy javë, hajde t’ju ulim që të merreni vesh për një punë, sepse konsiderojmë që është interesi i Kosovës. Por, ne jemi për atë që të kemi një president të vendit, që së bashku me neve, do të përkufizojë se cilat janë interesat e Kosovës, se çfarë duhet të bëjmë, cili është obligimi ynë ndaj faktorit ndërkombëtar dhe si ne duhet t;i koordinojmë ato punë me faktorin ndërkombëtar në mënyrë që faktori ndërkombëtar në këtë vend ta bëjë punën e vet, ndërsa ne përmes lidershipit tonë të bëjmë punën tonë.

Zëri i Amerikës: Kur mendoni se duhet të mbahen zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, ju keni thënë vitin e ardhshëm. A qëndroni ende në këtë kërkesë?

Isa Mustafa: Mendoj se do të ishte zgjidhja më e mirë. Do të ishte zgjidhja më e mirë për vendin. Nuk është çështja si zgjidhje për LDK-në, sepse janë konsumuara mjaft mekanizma, mënyra të qeverisjes dhe është dështuar në shumë fusha, mos të hyjë më thellë në kritika në këtë fundvit. Ne kemi dhënë gjatë tërë vitit vërejtjet tona sikurse edhe në periudhë e kaluar. Vetë fakti se ne jemi ulur dhe kemi bërë një marrëveshje që të shkurtohet mandati i kësaj qeverisjeje dhe parlamentit, ka pasur një arsye me të cilin jemi pajtuar të gjithë. Është pajtuar edhe PDK, jemi pajtuar edhe ne edhe AKR, është pajtuar edhe faktori ndërkombëtarë që ka ndërmjetësuar këto bisedimet tona. Dhe qëllimi ka qenë se ne kemi pasur shume të meta gjatë procesit, ka pasur shumë abuzime me votat dhe nuk është e arsyeshme që njerëzit që kanë ardhur me vota të abuzuara ta qeverisin katër vjet këtë vend. Nëse e kemi parë të arsyeshme që ta tejkalojmë atë problem për arsye të stabilitetit politik të vendit, kjo nuk do të thotë që ne duhet t’u krijojmë një komoditet strukturave që kanë ardhur me atë votë të abuzuar që ato ta qeverisin këtë vend katër vjet. Dhe vërtetë po duket se nuk po funksionon. Edhe këto bisedat që po zhvillohen rreth koalicioneve të reja edhe rreth ndërrimit apo dëshirave që të ndërrohet edhe kryeministri i vendit, sepse ne nuk kemi as kohë e as mundësi me u marrë me këto punë. Më së miri është që kryeministri i ardhshëm i Kosovës të vijë në bazë të votës, nga partia që merr shumicën e votave ose koalicionet, sepse cdo harrnim tani në këtë periudhë, nuk do të sigurojë asnjë qeverisje, as një të mirë kësja demokracie të këtij vendi, vetëm sa do të harronim këto struktura për të cilat krejt kemi pasur vërejtje. Dhe të gjithë kemi thënë se janë abuzuar votat, mos të them ndryshe dhe tash nuk ka asnjë arsye që ne të bëjmë turr dhe të themi hajde po bëjmë njëfarë koalicioni të ri mbi këto vota të abuzuara, sepse ne mund të qeverisim pak më ndryshe sesa që qeverisë Hashim Thaçi apo dikush tjetër që është tash.