Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, njëherësh ministër i jashtëm, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se Kosova po përballet me të njëjtat sfida me të cilat janë përballur edhe vendet tjera që janë anëtarësuar apo synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Në intervistën dhënë korrespodentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi, zoti Thaçi që është edhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, thotë se bllokada politike gjashtëmuajshe që çoi në ngecjen e proceseve politike ishte torturuese edhe për qytetarët e Kosovës.
Your browser doesn’t support HTML5
Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, viti 2014 po përmbyllet bashkë me përmbylljen e asaj që është vlerësuar si kriza më e rëndë institucionale në vend që kishte të bënte me ndërtimin e institucioneve të Kosovës. Sa po arrin Kosova të riparojë dëmet që kanë mbetur pas saj?
Hashim Thaçi: Viti 2014 ka qenë vit i suksesit të plotë për Kosovën në gjashtëmujorshin e parë. Ne organizuam zgjedhjet më të mira ndonjëherë në skenën politike kosovare. Zgjedhje “fer”, të lira, demokratike e transparente, ato të tetë qershorit. Organizuam zgjedhje në gjithë territorin e Republikës së Kosovës ku morën pjesë të gjitha komunitetet duke përfshirë edhe serbët e veriut në përputhshmëri me marrëveshjen e Brukselit, që ishte gjithçka kushtetuese dhe ligjore. Partia Demokratike shënoi një fitore bindëse. Për fat të keq, pas këtij suksesi të institucioneve, partive politike dhe qytetarëve të Kosovës, sukses ky i vlerësuar edhe prej gjithë botës demokratike dhe i mbështetur fuqishëm, erdhi deri tek ngërçi i panevojshëm politik nga disa parti humbëse të zgjedhjeve të tetë qershorit. Ndodhi një bllokadë torturuese për qytetarët, gjë që edhe stagnoi procesin politik dhe funksionimin e mirëfilltë e efektiv të institucioneve të vendit. Por, përsëri pas gjashtë muajsh të asaj bllokade, mund të themi politike, të panevojshme, torturuese dhe të dëmshme për vendin, përsëri dominoi arsyeja e shëndoshë nga PDK dhe në fund edhe nga LDK, zgjidhja racionale, ishte një vlerësim i përbashkët i dy partive të qendrës së djathtë që të ulemi, të diskutojmë, të arrijmë marrëveshje dhe t’i japim vendit institucione stabile, të besueshme, efektive dhe të orientimit euroatlantik.
Zëri i Amerikës: Keni ngritur qeverinë e përbashkët më rivalët e vjetër me të cilët gjatë viteve janë shkëmbyer kritika e fjalë të rënda. Sa e rëndojnë funksionimin e koalicionit marrëdhëniet e së kaluarës?
Hashim Thaçi: Ne jetojmë në një realitet të pluralizmit politik, të konkurrencës politike që ka rritur gjithmonë edhe vlerat tona politike dhe kombëtare, ka fuqizuar ndërtimin e institucioneve të vendit. Mendoj se dallimet e ndryshme konceptuale nuk duhet të shikohen apo prezantohen si armiqësi. Ne kemi kapur koncepte të ndryshme, kemi pasur rivalitete politike, por në fund dua të theksoj se edhe në këto 15 vitet e fundit më së gjati këto dy qeveri kanë qeverisur vendin. Njëherë në bashkëqeverisje menjëherë pas luftës së bashku me UNMIK-un, pastaj nga viti 2001 deri në vitin 2004, sërish një bashkëqeverisje të gjerë, ndërsa nga vitit 2007 kemi pasur koalicion të përbashkët, unë si kryeministër i vendit dhe presidenti (Fatmir) Sejdiu, që në atë kohë ka qenë edhe kryetar i LDK-së. Vetëm në tri vitet e fundit nuk ka ndodhur ajo bashkëqeverisje, ndërsa tash përsëri ka ndodhë kjo marrëveshje për ndërtimin e institucioneve të përbashkëta. Tash ka qenë më e lehtë sepse kemi pasur përvojën e së kaluarës. Kështu që ka pasur momente rivaliteti, por më tepër kemi pasur kohë të bashkëpunimit dhe bashkëqeverisjes si dy forcat kryesore politike të vendit. Kemi kaluar shumë kohë në bashkëqeverisje në të kaluarën, por dua të besoj se do të kalojmë edhe me tepër kohë në bashkëqeverisje në të ardhmen.
Zëri i Amerikës: Koalicionet e mëdha lënë gjithmonë një opozitë me numra të vegjël në parlament. Sa e dëmton kjo të bërit opozitë duke pasur parasysh rëndësinë që ka ajo në një sistem demokratik?
Hashim Thaçi: Ne edhe si koalicion jemi parti rivalësh në konkurrencën tonë politike të mëhershme, por me të vërtetë kemi bërë një ekip të përbashkët qeverisës që nuk dallon në kuptimin politik, sepse e kemi harmonizuar programin qeveritar. Unë nuk dëshiroj të shoh opozitën vetëm nga fakti dhe realiteti i numrave, por si një vlerë për demokracinë. Dhe do të investojmë maksimalisht që të gjejmë të gjitha hapësirat e mundshme të bashkëpunimit, që ndërlidhen drejtpërdrejt, qoftë me formimin e ushtrisë së Kosovës, reformat demokratike të nevojshme për vendin dhe shoqërinë, reformat elektorale, për procesin integrues evropian të Kosovës që janë interesa nacionale. Ndërsa, sa i përket orientimeve të ndryshme zhvillimore, mendoj se është e drejtë edhe legjitime edhe legale dhe një e drejtë e zërit të fuqishëm opozitar që mund të dëgjohet edhe në parlament edhe jashtë parlamentit, përmes mediumeve apo organizimeve tjera që janë aktive dhe të pranueshme për opinionin publik qytetar. Kështu që do të shikojmë të gjejmë mundësitë e bashkëpunimit dhe jo të konfrontimit edhe me opozitën.
Zëri i Amerikës: Sa mund të përballojë kjo qeveri situatën në vend që karakterizohet me vështirësi ekonomike që po nxisin edhe emigrimin e paligjshëm të qytetarëve të Kosovës?
Hashim Thaçi: Kosova kurrë ndonjëherë nuk ka qenë në pozicion më të mirë, ne kuptimin edhe zhvillimor, në kuptimin edhe politik e diplomatik. Vendi po konsolidohet. Tash kemi prioritete të qarta për vazhdimin e zhvillimit ekonomik edhe krijimin e vendeve të reja të punës edhe rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve edhe procesin integrues evropian. Sapo jam kthyer nga vizita në Bruksel ku kam zhvilluar takime edhe me zonjës (Federica) Mogherini edhe me komisionarin (Johan) Haahn, dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, por edhe në Strasburg me sekretarin e përgjithshëm Jaglland. Është përshtypje edhe besim edhe evropian se Kosova do t’i kryejë obligimet e veta karshi procesit integrues. Kështu që ne duhet të punojmë maksimalisht të gjitha institucionet që çdo qytetarë ndjehet mire dhe krenar për të jetuar në Kosovën e re, në Kosovën e pavarur, në Kosovën e konsoliduar si shtete edhe ne arenën ndërkombëtare. Natyrisht ka sfida ekonomike, por kam besim të plotë se do të kemi sukses.
Zëri i Amerikës: Por, njerëzit megjithatë, po ikin, ku janë shkaqet?
Hashim Thaçi: Nuk është vetëm Kosova që qytetarët lëvizin në drejtim të Evropës perëndimore. Ka ndodhur edhe prej vendeve që madje janë anëtarësuar në BE dhe pastaj kanë lëvizur për çështje ekonomike, apo edhe vende të tjera që kanë qenë në prag të anëtarësimit. Kështu që edhe ne ballafaqohemi me ato procese që janë ballafaquar edhe vende të tjera të rajonit. Por edhe sot mund të them lirisht se ne do t’i krijojmë të gjitha mundësitë dhe do t’i plotësojmë të gjitha kriteret që të ketë proces të shpejtë të liberalizimit të vizave, të nënshkruajmë marrëveshjen e stabilizim asocimit në gjashtëmujorshin e parë të vitit të ardhshëm dhe të krijojmë realitetin evropian në Kosovë.
Zëri i Amerikës: Këto sa mund të dëmtojnë procesin e liberalizimit të vizave?
Hashim Thaçi: Këto ikje mund të ngjallin debat më të zëshëm edhe në Bruksel, por natyrisht se do të rrisin edhe përgjegjësitë dhe angazhimet tona si institucione të vendit. Mund të shtyjnë procesin e liberalizimit, por përsëri e theksoj, shoh një energji, shoh një potencial dhe shoh një përgjegjësi tek lidershipi kosovar, qoftë në nivel qendror, qoftë në nivel lokal që të punojmë bashkërisht për parandalimin e këtij fenomeni negativ të dëmshëm edhe për shtet edhe për shoqëri, por në të njëjtën kohë të dëmshëm edhe në procesin integrues evropian.
Zëri i Amerikës: Viti i ri e pret Kosovën me sfida që kërkojnë një shkallë më të gjerë konsensusi, siç është të zëmë ngritja e Gjykatës së Posaçme. Si mendoni që do ta përballojë Kosova këtë sfidë?
Hashim Thaçi: Kosova do ta tejkalojë edhe këtë sfidë. Do ta tejkalojë bashkërisht si politikë, si institucione, si shoqëri civile, si medie. Kosova ka nevojë të lirohet nga ajo barrë e padrejtë që është ngarkuar dhe po ngarkohet. Ne kemi besim në sistemin e drejtësisë ndërkombëtare. Nuk kemi asgjë për të fshehur, prandaj pres që në fillim të vitit të ardhshëm të procedojmë me procesin e nxjerrjes së legjislacionit të nevojshëm për krijimin e gjykatës speciale.
Zëri i Amerikës: Po sa i përket ligjit për përfshirjen e qytetarëve në luftërat e huaja, prisni vështirësi në miratimin dhe zbatimin e tij dhe sa e rrezikon Kosovën dukuria e përfshirjes së qytetarëve të saj në luftërat në Siri dhe Irak?
Hashim Thaçi: Kosova ka dëshmuar më fakte se është shumë e vendosur më luftë kundër terrorizmit dhe fundamentalizmit. Rikonfirmoj edhe sonte: do të jemi të pa kompromis ndaj këtyre fenomeneve, kurdo dhe kudo që paraqiten. Kemi bashkëpunim të ngushtë me të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë dhe mbështetjen e plotë të tyre. Kemi një zotim të gjithanshëm institucional tonin. Ndërsa, sa i përket nxjerrjes së ligjit për pjesëmarrje në luftëra të huaja, ne e kemi proceduar më herët në Kuvendin e Kosovës, tashmë e kemi ri proceduar sërish si qeveri e Kosovës dhe shpresoj se gjatë muajit janar do ta përmbyllim
Zëri i Amerikës: Ju e keni drejtuar deri tash procesin e bisedimeve me Serbinë. Çfarë do të jetë roli juaj më tej në këtë proces dhe si e shihni rrjedhën e zbatimit të rezultateve të këtyre bisedimeve?
Hashim Thaçi: Në takimin e fundit që kam zhvilluar në kapacitetin e kryeministrit të Kosovës në New York me kryeministrin e Serbisë, (Aleksandër) Vuçiç, kemi diskutuar që të vazhdohet me dialogun, gjithashtu edhe me implementimin e plotë të marrëveshjeve të arritura deri më tani. Edhe në takimet e fundit me zyrtarë të Brukselit, kemi ardhur në përfundim se duhet të vazhdohet me këtë proces të dialogut dhe unë shpresoj që gjatë fillimit të muajit shkurt do të vazhdojë dialogu ne nivelin më të lartë politik, në nivel të kryeministrave, ndërsa edhe unë në rolin tim të vazhdimësisë së këtij procesi do të kem përgjegjësitë e mia kushtetuese dhe ligjore, mbështetëse të këtij procesi të rëndësishëm për normalizimin e marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Vlerësoj se ky proces është i rëndësishëm për të dyja vendet por është i rëndësishëm edhe për gjitha rajonin.
Zëri i Amerikës: A prisni ndonjë ndryshim në formatin e këtyre bisedimeve?
Hashim Thaçi: Sa i përket formatit dhe temave, besoj që duke u afruar dita e vazhdimit të këtij procesi do të qartësohet edhe agjenda edhe formati edhe gjithë procesi që pritet të ndodhë gjatë vitit të ardhshëm.
Zëri i Amerikës: Keni thënë shpesh që këto bisedime duhet të përfundojnë me njohjen e ndërsjellë. Nuk po kërkojmë datë të saktë, por a keni menduar ndonjëherë se në çfarë periudhe mund të jetë kjo?
Hashim Thaçi: Serbia “de fakto” e ka njohur Republikën e Kosovës. Po ndodhë një proces i ngadalshëm por krejt normal. Ju e përcollët ditë më parë ishin në vizitë dy ministra të qeverisë së Republikës së Kosovës në Beograd dhe nuk ishte ndonjë lajm spektakolar, por shumë i rëndësishëm për Kosovën në kuptimin institucional dhe shtetëror. Ndërsa unë dua të shpresoj dhe të besoj se procesi i dialogut në Bruksel do të përmbyllet më njohje reciproke, si parakusht i domosdoshëm edhe për Kosovën edhe për Serbinë, do të thotë njohjet edhe “de jure”.
Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, po lëmë prapa një vit jo të lehtë për Kosovën. Çfarë prisni nga vitit që po vjen?
Hashim Thaçi: Ritheksoj. Vitit 2014 ka qenë jo i lehtë, por i suksesit me ballafaqime dhe sfida. Por, me përmbyllje përsëri të suksesit të përbashkët të skenës politike kosovare me realitetin që është krijuar. Vitin 2015 e vlerësoj së do të jetë vit i sfidave, i vendime jo të lehta, por përsëri, jam optimist, do të jetë vit i avancimit te suksesit të viteve të mëhershme.