Kosovë: Largohet ministri i Brendshëm - për shefin e zbulimit pritet veprimi i presidentit

Ministri i deritashëm i Punëve të Brendshme në Kosovë, Flamur Sefaj, ka pranuar vendimin e kryeministrit Ramush Haradinaj për lirimin e tij nga detyra dhe ka dhënë dorëheqje.

Aleanca Kosova e Re, nga radhët e së cilës është zoti Sefaj njoftoi se ai përmes letrës së dorëheqjes e ka informuar kryeministrin në hollësi lidhur me procesin e deportimit të shtetasve turq dhe përfshirjen e tij në zbatim të ligjit në atë proces.

Në një njoftim të Aleancës Kosova e Re thuhet se "ministri Sefaj nuk ka qenë faktor vendimmarrës dhe vetëm ka zbatuar ligjin përkitazi me kërkesën së Agjencisë së Zbulimit të Kosovës, , institucion ky i cili sipas Kushtetutës ka vlerësuar se personat e lartcekur përbëjnë rrezik për sigurinë nacionale të Kosovës. Sa i përket informimit të Kryeministrit për këtë proces, AKI obligohet me ligj që t’i raportojë në të njëjtën kohë Kryeministrit, prandaj duhet të sqarohet nëse kjo ka ndodhur apo jo".

Në njoftim thuhet se ministri Sefaj "nuk ka qenë fare në dijeni se çka përfaqësojnë ata persona, por vetëm ka zbatuar ligjin i cili aktivizohet në rastet kur AKI vlerëson se po cenohet siguria shtetërore e Kosovës.".

Gjashtë shtetas turq, pesë nga të cilët punonjës të Institucionit Arsimor Gylistan, pronë e klerikut turk Fethullah Gulen, të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e fajëson për një përpjekje grusht shteti në Turqi, dy vjet më parë, dhe një mjek, u deportuan të enjten në një operacion ende të pasqaruar të kryer nga shërbimet e zbulimit të të dyja vendeve.

Të premten kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, shkarkoi ministrin e Brendshëm Flamur Sefaj dhe shefin e Agjencisë së Zbulimit, Driton Gashi, meqë siç tha nuk ka qenë fare i informuar për veprimet e institucioneve.

Pajtimi i zotit Sefaj me largimin nga detyra i jep fund edhe debateve rreth qasjes së Aleancës Kosova e Re, që është pjesë e koalicionit qeverisës ndaj kësaj çështjeje.

Edhe më tej nuk është e qartës e cili do të jetë fati i drejtorit të Agjencisë së Zbulimit, të cilin zoti Haradinaj e ka liruar nga detyra. Të martën kryeministri i tha Zërit të Amerikës se "ndalimi i gjashtë shtetasve turq në Kosovë dhe deportimi i tyre ka paqartësi, pra te mënyra e revokimit të lejes së qëndrimit, ishte procedurë shumë e shpejt dhe deportim i fshehtë dhe bazuar në këtë dhe për faktin që nuk kam qenë i informuar, kam marrë vendim dhe i kam shkarkuar parevokueshëm ministrin e Brendshëm dhe drejtorin e agjencisë së inteligjencës së Kosovës". Por më pas ai shtoi se ".... Kuptohet për AKI-në lirimi (nga detyra) duhet të vijë edhe nga presidenti, por sa i përket pjesës time është i liruar".

Por, presidenti ende nuk e ka thënë fjalën e tij, ndërsa të shtunën ai kërkoi që fillimisht të pritet përfundimi i hetimeve gjithëpërfshirëse për tërë operacionin para se të bëhen çfarëdo vlerësimesh për të.

Të dielën presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, e falënderoi presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa sulmoi për tri ditë rresht kryeministrin Ramush Haradinaj për qëndrimin e tij ndaj operacionit të deportimit të shtetasve turq, që Ankaraja i akuzon për mbështetje të komplotit për grusht shteti.

Duke folur në kongresin e partisë së tij në Hatay në juglindje të Turqisë, presidenti turk tha se "Prej këtu e falënderoj presidentin e Kosovës. Por kryeministrit i them 'turp', sepse largimi nga detyra i kreut të zbulimit dhe ministrit të Brendshëm, të cilët na i dorëzuan anëtarët e organizatës terroriste FETO, është një gabim historik. sepse ata e bënë detyrën e tyre".

Tërë operacioni vazhdon të jetë i "mjegulluar", ndërsa ka nxitur reagimet e organizatave dhe veprimtarëve për të drejtat e njeriut që tërheqin vërejtjen tek pasojat që mund të ketë ai në proceset integruese të Kosovës.