Në Kosovë, autoritetet vendase dhe ato ndërkombëtare kanë shprehur shqetësimet lidhur me disa incidente të raportuara ndër etnike ditëve të fundit.
Protestat ndaj një grupi serbësh në një fshat të komunës së Klinës, sulme me gurë dhe dëmtime pronash, janë raportuar nga pjesëtarë të komunitetit serb në disa fshatra të komunave të Lipjanit, Klinës e Prizrenit.
Autoritetet e rendit thonë se janë duke hetuar të gjitha raportimet, ndërsa kanë hedhur poshtë pohimet e zyrtarëve serbë se policia është duke "injoruar incidentet".
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, u shpreh sot i shqetësuar me siç tha, "ato pak incidente ndëretnike që janë shënuar ditëve të fundit" ndërsa u bëri thirrje institucioneve të sigurisë që të shtojnë kujdesin dhe të marri masa për të parandaluar çfarëdo incidenti.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, presidenti Thaçi tha se “bashkëjetesa dhe toleranca kanë qenë, janë dhe do të mbesin virtyte të shoqërisë sonë. Këtyre sjelljeve duhet t’ua ndalim rrugën menjëherë dhe të mos lejojmë që të bëhen të pranueshme në shoqërinë tonë. Në muajin qershor, të gjitha komunitetet e Kosovës kremtojnë ditë dhe data të shënuara. Këto duhet të respektohen nga të gjithë dhe të dënohet çdo cenim apo përpjekje për të penguar shënimin e tyre”,thuhet në reagimin e presidentit Thaçi.
Edhe qeveria e Kosovës nëpërmjet një komunikate për opinion është shprehur siç thuhet e shqetësuar dhe ka dënuar incidentet e fundit që kanë motive ndëretnike dhe të cilat ndikojnë negativisht në marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve në Kosovë.
“Qeveria e Kosovës kërkon nga organet kompetente që sa më shpejt të ndriçojnë arsyet dhe motivet e këtyre rasteve të ulëta dhe autorët e tyre të dalin përpara drejtësisë. Rastet e tilla kanë për synim të pengojnë përpjekjet e institucioneve për ndërtimin e një shoqërie demokratike e gjithëpërfshirëse”,thuhet në reagimin e qeverisë e cila u bënë thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me organet e rendit.
Ndërsa, raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Soltes u bëri thirrje autoriteteve përgjegjëse në Kosovë që fillojnë hetimet për rastet e fundit të raportuara për incidente të ndryshme etnike në Kosovë.
“Qëndrimi ynë është shumë i qartë se duhet bërë gjithçka që të fillohen hetimet e këtyre ngjarjeve në mënyrë që zvogëlohen mundësitë e tensioneve që mund të shkaktojë çfarëdo reagime negative. Shpresoj që autoritetet përgjegjëse do të bëjnë çdo gjë që kanë mundësi për të parë se për çfarë gjëra flitet”, tha zoti Soltes duke nënvizuar se të njëjtën temë e ka diskutuar me autoritetet në vend.