Bashkësia Islame e Kosovës dënon grafitet kërcënuese

Bashkësia Islame e Kosovës reagoi pas njoftimeve se persona të panjohur kanë shkruar në muret e Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, grafite nëpërmjet të cilave kërcënohen me vdekje udhëheqës të institucioneve qendrore e lokale dhe të kësaj bashkësie.

Në grafitet e shkruara, kërcënohen presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kandidati për kryeministër nga radhët e lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava.

Policia ka dalë në vendin e ngjarjes për të hetuar rastin por nuk ka dhënë më shumë hollësi.

Bashkësia Islame e Kosovës nëpërmjet një komunikate për opinion dënoi veprimet e tilla duke theksuar se "kërcënimi me vdekje i udhëheqësve të shtetit, BIK-ut dhe Komunës së Prishtinës përmes grafiteve është akt i papranueshëm dhe i dënueshëm për shoqëritë normale”.

Në komunikatë thuhet më tutje se "institucionet e vendit e as udhëheqja e Bashkësisë Islame të Kosovës, nuk ndikohen nga individë të natës që thërrasin në dhunë e mbjellin urrejtje e mosdurim. Jemi të bindur që autorët dhe mentorët e këtij veprimi qyqar nuk paraqesin qëndrimin e qytetarëve të Prishtinës e as të vendit. Këtë veprim e konsiderojmë të izoluar dhe ftojmë qytetarë e sidomos studentët që mos të bien pre e individëve që thërrasin në dhunë, përhapin shpifje dhe i kontribuojnë urrejtjes e mos durimit", thuhet në reagimin e Bashkësisë Islame të Kosovës.

Ajo u ka bërë thirrje autoriteteve përgjegjëse që te hetojnë rastin dhe autorët e këtij akti të sillen para drejtësisë.

Grafitet e shkruara në Prishtinë, pasojnë debatet rreth ndërtimit të xhamisë së re në Prishtinë, gurthemeli i së cilës është hedhur në tetor të vitit 2012. Një grup qytetarësh dhe arkitektësh kanë shfaqur mospajtime rreth mënyrës së ndërtimit dhe vendit të ndërtimit të xhamisë, e cila do të financohet nga Bashkësia Islame Turke, me një çmim prej rreth 40 milionë eurosh.