Kosova solidarizohet me Francën

Institucionet politike e fetare në Kosovë dënuan ashpër sulmin e së enjtes në Nicë të Francës.

Your browser doesn’t support HTML5

Kosova dënon sulmin në Nisë

Në një deklaratë të kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiut Naim Tërnava thuhet se "sulmi i mbrëmshëm në Nice është akt barbar, që në shënjestër ka atakimin e parimeve të lirisë dhe vlerave qytetëruese e humane si objektiva tona të përbashkëta. Në këto momente të rënda solidarizohemi e mbështesim shtetin dhe popullin mik francez, duke ndier e ndarë dhimbjen me ta; ngushëllojmë familjarët e viktimave dhe lutemi për shërimin e të lënduarave.

Sulmi i mbrëmshëm është kushtrimi më i mirë që bota e lirë duhet të jetë e bashkuar dhe unike kundër ekstremizmit e terrorizmit. Përballë terrorit e terroristëve bota nuk duhet të bëjë sehir, por duhet ndërmarrë masa që akte e skena të tilla të llahtarshme ku pësojnë qytetarët e pafajshëm mos të përsëritën kurrë më", thuhet ne deklaratën e myftiut Tërnava.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa u shpreh i tronditur "me aktin barbar i cili la të vdekur dhjetëra njerëz të pafajshëm në qytetin e Nicës. Në këto çaste të rënda për shtetin dhe popullin francez, Kosova bashkëndjen dhe shprehë solidaritetin e plotë me popullin mik francez”.

Ai ritheksoi siç tha përkushtimin e Kosovës për të qenë pjesë e koalicionit global kundër terrorizmit.

Aktet e tilla terroriste nuk do të arrijnë të na ndalin në luftën tonë kundër të keqes globale", thuhet mes tjerash në reagimin e kryeministrit Mustafa.

Ndërsa kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli tha se sulmi "ishte goditje e rëndë ndaj popullit të Republikës së Francës dhe vlerave tona të përbashkëta. Në këto momente të vështira, jemi pranë institucioneve franceze dhe ngushëllojmë familjet që humbën më të dashurit e tyre në këtë sulm të pashembullt nga egërsia, që po terrorizojnë dhe sjellin frikë tek të gjithë qytetarët, ndërsa të lënduarve u dëshirojmë shërim. Sulmi i mbrëmshëm na bën që të jemi më unik dhe më të vendosur kundër terrorizmit në nivel global”, thuhet në reagimin e zotit Veseli.

Të tronditur janë shprehur edhe udhëheqësit e partive politike të cilët theksojnë pos tjerash se terrorizmi megjithatë nuk do të arrijë t’i rrënojë vlerat e qytetërimit evropian.