Thirrje për miratimin e gjykatës së posaçme në Kosovë

Parlamenti diskuton të mërkurën zgjatjen e mandatit të EULEX-it dhe krijimin e një gjykate që do të trajtojë pretendimet për krime lufte në Kosovë
Diplomatët perëndimorë i bënë thirrje sot Parlamentit të Kosovës që të miratojë të mërkurën, themelimin e një gjykate të posaçme që do të trajtojë pretendimet për përfshirje të pjesëtarëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte.

Thirrjet pasuan vendimin e qeverisë së Kosovës për miratimin e projektligjit për ratifikimin e letërkëmbimit ndërmjet presidentes Atifete Jahjaga dhe shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Catheirne Ashton për zgjatjen e mandatit të EULEX-it dhe krijimin e gjykatës që do të merret me trajtimin e pretendimeve të ngritura në raportin e të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty.

Your browser doesn’t support HTML5

Gjykata e Posaçme në Kosovë


Duke paraqitur projektligjin në mbledhjen e qeverisë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi tha se “ky ligj do të ratifikojë marrëveshjen në tërësi, përfshirë këtu pa u kufizuar në zgjatjen e mandatit të EULEX-it, në fushat e parapara deri me 15 qershor të vitit 2016, me përjashtim të Task Forcës Speciale Hetuese, së cilës mandati dhe pavarësia do t’i garantohet me këtë marrëveshje”.

Ambasada Amerikane në Prishtinë tha se ky vendim qartësisht i vë interesat afatgjata të Kosovës para shqetësimeve politike afatshkurtra.

Ne u bëjmë thirrje deputetëve të Parlamentit të Kosovës që të mbajnë këtë momentum duke miratuar krijimin e një gjykate të Kosovës për t’u marrë me pohimet serioze nga Raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2010. Bota është duke shikuar për të parë a është Kosova e përkushtuar për një proces juridik që me paanshmëri mund t’i zgjidhë ato pohime përfundimisht”, thuhet në një komunikatë në të cilën tërhiqet vërejtja se “dështimi për të krijuar këtë gjykatë do t’i detyrojë trupat tjera ndërkombëtar që të merren me këto pohime. Kjo do t’i bëjë dëm të pamatshëm imazhit të Kosovës dhe aspiratave të saja euro-atlantike. Deputetët e Parlamentit do t’u shërbejnë më së miri interesave të Kosovës duke qenë të përkushtuar për një proces të besueshëm juridik që është i pranueshëm për bashkësinë ndërkombëtare”.

Në komunikatë thuhet se “ambasada e kupton se kjo është një çështje e ndjeshme për Kosovën. Sidoqoftë, ky është një hetim që përqendrohet në individët dhe nuk është gjykim kundër përpjekjeve kolektive të Kosovës për çlirim. Krijimi i kësaj gjykate është opsioni më i mirë për mbylljen e këtij kapitulli të historisë së Kosovës. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të qëndrojnë pranë Kosovës gjersa ajo vazhdon të ecë përpara me këtë detyrë thelbësore”, thuhet në komunikatë.

Ndërkaq, përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian Samuel Zbogar dhe të dërguarit e shteteve anëtare të BE-së në Kosovë, nëpërmjet një deklarate të përbashkët mirëpritën vendimin e qeverisë dhe u bënë thirrje deputetëve të miratojnë mandatin e EULEX-it, dhe krijimin e një gjykatë të posaçme “për gjykimin e pretendimeve ndaj individëve të caktuar, të cilët mund të kenë kryer ose mund të mos kenë kryer krime të rënda”.

Në komunikatë thuhet se “miratimi i shkëmbimit të letrave do të fuqizojë sundimin e ligjit në Kosovë dhe do të ngritë imazhin ndërkombëtar të Kosovës duke dëshmuar kështu se ajo nuk ka çfarë të fshehë lidhur me pretendimet e Raportit të Këshillit të Evropës të vitit 2011. Bashkimi Evropian e pranon që ky është një vendim i ndjeshëm dhe i vështirë. Njëkohësisht ne besojmë fuqishëm se një vendim i tillë duhet të merret për të hapur rrugën për një të ardhme evropiane më të mirë për Kosovën dhe qytetarët e saj”, thuhet në komunikatë.

Gjykata, hollësitë e veprimit të së cilës ende nuk janë të qarta, do të veprojë në kuadër të ligjeve të Kosovës, por pjesa më e madhe e punës së saj do të kryhet jashtë Kosovës, me gjasë në Holandë, ndërsa prokurorët dhe gjykatësit do të jenë ndërkombëtar. Kjo, sipas zyrtarëve ndërkombëtarë, do të ndihmojë mbrojtjen e dëshmitarëve.

Pretendimet e zotit Marty po hetohen që nga viti 2011 nga një grup punues i kryesuar nga prokurori amerikan Clint Wlliamson, raporti i të cilit me të gjeturat pritet të bëhet publik në muajin qershor.

Gjykata nuk shihet me sy të mirë nga asnjë forcë politike në Kosovë, ndërsa kundërshtohet prerazi nga lëvizja Vetëvendosje. Megjithatë, pritet që miratimi të ndodhë në parlament, për të shmangur atë që është cilësuar si veprim më i dëmshëm për Kosovën, themelimin e gjykatës nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.