Sekretari i jashtëm britanik, William Hague, tha në Prishtinë se bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë thelbësore për integrimin e tyre në BE
Sekretari i jashtëm britanik William Hague, tha sot në Prishtinë se bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk mund të vazhdojnë në pafundësi, ndërsa hodhi poshtë çdo mundësi të ndarjes tokësore të Kosovës.
http://www.youtube.com/embed/xS3gVs6K-Y4
Ai i bëri këto komente pas takimeve që zhvilloi mbrëmë dhe sot me udhëheqësit e Kosovës. Sekretari Hague tha se bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë janë thelbësore për të dyja vendet, në rrugën e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Ai shprehu mbështetjen e fuqishme për takimin e së premtes ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, me ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Catherine Ashton.
“Këto nuk janë bisedime të pafundme që mund të vazhdojnë përgjithmonë. Është me rëndësi që të ketë përparim në çdo fazë. Në periudhën e parë baronesha Ashton do të identifikojë fushat që do të kërkojnë vëmendjen e të dyja palëve dhe shpresojmë se do të ecet përpara”, tha zoti Hague, duke nënvizuar se Serbisë i është bërë e qartë se cilat janë kërkesat për të që ajo të jetë vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Unë isha në Beograd dy vjet më parë bashkë me kolegun gjerman për t’u thënë se harta e Evropës Juglindore është e mbyllur dhe nëse doni të jeni vend kandidat për Bashkimin Evropian, duhet të hyni në bisedime me Kosovën”, tha sekretari Hague, duke nënvizuar se synimi është që vendet e Ballkanit Perëndimorë të jenë së bashku në Bashkimin Evropian - të ulur në një tryezë.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se kapitulli i konflikteve dhe problemeve të mëhershme në rajon po përmbyllet dhe po hapet kapitulli i bashkëpunimit, i paqes, qëndrueshmërisë dhe frymës euro-atlantike. Ai tha se Kosova nuk duhet të presë njohje të shpejtë të pavarësisë së saj nga Serbia.
“Ka filluar një proces evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Pra, nuk duhet të presim në ditët, javët dhe muajt e ardhshëm njohjen nga Serbia për shtetin e Kosovës dhe anasjelltas, por presim sjelljen evropiane të Serbisë në raport me Kosovën. Ky relacion evropian Kosovë-Serbi do të rezultojë me pesë njohje të shteteve të Bashkimit Evropian për shtetin e Kosovës dhe duhet të rezultojë me anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, tha kryeministri Thaçi.
Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, ndërsa është shprehur e gatshme të bisedojë me Prishtinën për normalizimin e marrëdhënieve, që është kusht për integrimet evropiane. Sekretari Hague shkoi nga Prishtina në Beograd për të transmetuar qëndrimet në favor të procesit të bisedimeve.
Po këtë mesazh pritet që në të dyja vendet ta transmetojë edhe sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton e cila do të udhëtojë nga data 29 tetor deri më 2 nëntor për në Algjeri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi, Kosovë, Shqipëri dhe Kroaci.
Në Bosnjë, Serbi dhe në Kosovë, ajo do të shoqërohet nga shefja e politikës së jashtme te Bashkimit Evropian Catherine Ashton. Të dyja pritet të qëndrojnë në Beograd dhe në Prishtinë më 31 tetor, siç thuhet, për të nxitur bashkëpunimin dypalësh, respektimin e marrëveshjeve të arritura ndërmjet të dyja palëve si dhe do t’i inkurajojnë palët në hedhjen e hapave konkret, që do tu mundësojnë të dyja vendeve të përparojnë në rrugët e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian.