Policia e EULEX-it tha se ka arrestuar tre persona, nën dyshimet për sulm mbi një postbllok të policisë serbe në Luginën e Preshevës.
Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, bërit të ditur se ka arrestuar tre persona të dyshuar se, siç thuhet, “janë pjesëtarë të një organizate terroriste, e cila e ka marrë përgjegjësinë për tri sulme mbi policinë e Serbisë në fshatin Dobrosin”, në luginën e Preshevës.
“Dy persona dyshohet se kanë marrë pjesë në sulmin e fundit që ka ndodhur më 7 tetor 2012”, thuhet në njoftim në të cilin nuk bëhet i ditur as identiteti i atë arrestuarve e as emri i organizatës që pretendohet se i takojnë.
Rasti është duke u ndjekur nga një prokuror i EULEX-it nga Prokuroria e Posaçme e Kosovës, thuhet në njoftim në të cilin nuk jepen hollësi të tjera.
Postblloku i policisë serbe në fshatin Dobrosin është qëlluar me armë zjarri në tri raste gjatë këtij viti, por pa pasoja në njerëz.
Në fshatin Dobrosin, ku raportohet se kanë ndodhur incidentet, në vitin 2000 ishte themeluar Ushtria Çlirimtare e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, një formacion i kryengritësve shqiptarë që luftonin për më shumë të drejta të shqiptarëve në zonë.
Në maj të vitit 2001, konflikti ndërmjet kryengritësve shqiptarë dhe forcave qeveritare serbe, mori fund me ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtarë.