Zyrtarët e BE-së dhe qeverisë së Kosovës, diskutojnë sot mbi gjyqësinë dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë.
Sot në Bruksel pritet të fillojë “Dialogu i strukturuar për sundim të ligjit në Kosovë”, ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe Komisionit Evropian. Sipas paralajmërimeve, çështjet kryesore do të jenë gjyqësori, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Delegacioni i Kosovës i drejtuar nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, do të debatojë me Komisionarin për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Stefan Fule, komisionaren për Punë të Brendshme, Cecilia Malmstrom dhe përfaqësues të tjerët të Komisionit Evropian edhe për transformimin e misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit.
Fillimi i këtij dialogu qe paralajmëruar që më 27 mars të këtij viti nga komisionari Fule, i cili atëbotë u dorëzoi autoriteteve të Prishtinës, dokumentin për fillimin e studimit të fizibilitetit për përfshirjen në marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian.
Fillimi i studimit të fizibilitetit u bë i mundur pas marrëveshjes së arritur në fillim të muajit mars ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për përfaqësimin rajonal të Kosovës, marrëveshje që i mundësoi Serbisë ndërkaq të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian
Zoti Fule deklaroi atëherë se viti 2012 është një vit i mundësive për Kosovën. Ai tha se gjatë pranverës, Kosova do të marrë udhërrëfyesin për liberalizmin e vizave, të përfshihet në procesin e anëtarësimit në Bankën Evropiane për Rindërtim e Zhvillim si dhe të fillojë dialogun e strukturuar me Bashkimin Evropian për sundimin e ligjit.
Dita e sotme shënon përmbushjen e vetëm njërit nga këto zotime, ndërsa Kosova ende nuk e ka marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave e as nuk janë shënuar hapa për anëtarësim në BERZH.
Qeveria e Kosovës është shprehur kritike ndaj hapave të ngadalshëm të Bashkimit Evropian për përmbushjen e zotimeve ndërsa është shprehur e gatshme, siç thuhet, të përmbushë kriteret e përcaktuara për përfshirjen në proceset integruese. Në këtë kuadër zyrtarë të qeverisë thanë se sundimi i ligjit vazhdon të jetë përparësia kryesore e punës së tyre.
Por, vendosja e sundimit të ligjit mbetet edhe një nga sfidat kryesore për autoritetet e Prishtinës. Edhe më tej jashtë kontrollit të saj mbetet pjesa veriore Kosovës e banuar me shumicë serbe, ku nuk njihen dhe pranohen institucionet e Prishtinës. Serbët në veri sërish mbrëmë hodhën poshtë planet e qeverisë së Kosovës për hapjen e një zyreje administrative në veri që shihet si hapi i parë i rëndësishëm drejt krijimit të komunës së re dhe integrimit të asaj pjese.