Kosovë: Ngjallen debatet për qeverinë e re të vendit

Kosovë: Ngjallen debatet për qeverinë e re të vendit

Partia Demokratike e Kosovës është zotuar për krijimin e shpejtë të institucioneve të dala nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Zotimi pasoi shpalljen e rezultateve përfundimtare, sipas të cilave, fituese e këtyre zgjedhjeve është Partia Demokratike e Kosovës e cila do të ketë 34 deputetë në Parlamentin 120 vendesh. Ajo pasohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 27 deputetë, lëvizja Vetëvendosje me 14, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 12 dhe Aleanca Kosova e Re me 8 deputetë.

http://www.youtube.com/embed/gdOvoIoCwXc

Ndërkaq, pjesa tjerët prej 25 deputetësh është ndarë nga partitë politike nga radhët e komuniteteve pakicë. Kryeministri në dorëheqje Hashim Thaçi, tha se Kosova shume shpejt do të ketë qeverinë në bazë të vullnetit të shprehur të qytetarëve të saj.

Tanimë definitivisht, dihet botërisht legjitimiteti i qytetarëve të vendit. Parti fituese me një rezultat bindës është PDK. E ritheksoj edhe njëherë, menjëherë me certifikimin e rezultatit zgjedhor, do të kemi qeverinë e re, shumetnike, shumë përfshirëse në kuptimin politik dhe standardeve euroatlantike”, tha ai.

Por, as sot zoti Thaci nuk foli konkretisht për partnerët e mundshëm të koalicionit qeverisës. Ai pritet që edhe zyrtarisht të fillojë bisedime me partitë politike të cilat kanë qëndrime të ndryshme kundruall qeverisë së re. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa tha se do t’i përgjigjet çdo ftese për bisedime, por kjo parti është e vendosur të qëndrojë në opozitë.

Ftesë nuk kemi marrë. Natyrisht se LDK-ja do të përgjigjet në çdo ftesë të cilën e merr, por kjo nuk do të thotë assesi që ne do të hyjmë në negociata për koalicion me Partinë Demokratike”, tha zoti Mustafa

Një qëndrim të njëjtë kundër përfshirjes në koalicionin e ri qeverisës ka mbajtur edhe lëvizja Vetëvendosje, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re mbeten partnerët e mundshëm në koalicionin qeverisës. Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ahmet Isufi tha sot se kjo parti është e hapur për të dyja mundësitë, të hyjë në qeveri, apo të mbetet në opozitë.

Qeveria e Kosovës duhet të jetë ajo qe i shërben qytetarëve, dhe vendit tonë e jo vendi të jetë për qeverinë sepse çdo qeveri duhet të jetë e përgjegjshme para vendit. Kjo që ishte nuk tregoi një nivel të tillë, prandaj them se AAK merr pjesën e përgjegjësisë së vet qoftë nëse hyn në qeveri, apo mbetet në opozitë”, tha zoti Isufi.

Kjo parti ka hedhur disa herë kërkesën që të ketë postin e kryeministrit në qeverinë e re, por nuk ka hedhur poshtë as mundësinë që të kënaqej me postin e presidentit të vendit. Ndërkaq, Aleanca Kosova e Re ka vënë si kusht për përfshirje në koalicionin e ardhshëm postin e presidentit për udhëheqësin e saj Behgjet Pacolli.

Jo zyrtarisht mundësitë janë vënë në tryezë përfshirë edhe postin e kryetarit të Parlamentit, por bisedimet zyrtare presin certifikimin e rezultateve i cili do ta varet nga afatet ligjore për shqyrtimin e ankesave të mundshme të partive politike apo edhe kandidatëve të tyre. Një muaj pas certifikimit të rezultateve duhet të mblidhet parlamenti i Kosovës. Afatet për krijimin e institucioneve të reja mund të shkurtohen nga një marrëveshje politike.