Kosovë: Rreziku nga ekstremizmi i dhunshëm nuk është eliminuar

Kosovo/extremism

Në Kosovë, bashkërenduesi kombëtar për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, Fatos Makolli, tha të mërkurën se pesëdhjetë shtetas të Kosovës vazhdojnë të qëndrojnë në zona të konfliktit në Siri e Irak, bashkë me rreth 44 gra dhe 110 fëmijë, shumica prej të cilëve janë lindur në ato territore.

Gjatë punimeve të një konference mbi “Kërcënimet nga ekstremizmi i dhunshëm në Kosovë dhe rajon – Çka tutje?, organizuar nga Qendra e Kosovës për Studime të Sigurisë, zoti Makolli tha se personat që mund kthehen nga ato zona konsiderohen sfidë e madhe për sigurinë e Kosovës.

Ne të gjithë e dimë që shumica nga këta persona, kryesisht luftëtarë të huaj, kanë qëndruar në zonat e konfliktit për vite të tëra. Pa marrë parasysh motivet në bazë të të cilave ata kanë shkuar atje, konsiderohen se mund të jenë të indoktrinuar dhe të radikalizuar skajshëm”, tha ai.

Sipas zotit Makolli përkundër përmirësimit të situatës, rreziku nga ekstremizmi i dhunshëm vazhdon të jetë i lartë.

Duhet theksuar se përkundër masave të ndërmarra si nga institucionet e vendit, shoqëria civile dhe po ashtu nga humbja e territorit të organizatave terroriste në zonën e konfliktit megjithatë problemi nuk është zgjidhur. Organizatat e tilla vazhdojnë të jenë mjaft aktive”, tha ai.

Florian Qehaja nga Qendra e Kosovës për Studime të Sigurisë, tha se rreziku nga ekstremizmi i dhunshëm përfshin tërë Ballkanin Perëndimor, ndërsa theksoi se ende mungon një bashkëpunim rajonal në luftimin e këtij fenomeni.

Pavarësisht se ne mendojmë që është bërë punë në drejtim të parandalimit të ekstremizmit në përgjithësi dhe sidomos në Kosovë, ne mendojmë që rreziku që i kanoset Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor nuk është eliminuar. Aq më tepër kur ka sinjale për rigrupim të qarqeve të caktuara, pas shpërbërjes së formacioneve terroriste ISIS dhe Al-nusra në Lindjen e Mesme. Ne mendojmë që është shumë e rëndësishme që të ketë vetëdijesim edhe më tutje dhe sa më parë të identifikohen potencialet rezistuese në popullatë, do thotë të identifikojmë se çka ka bërë që shumica dërrmuese e popullatës në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor u ka rezistuar këtyre ideologjive”, tha zoti Qehaja.

Që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 400 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme. Mbi 70 veta kanë humbur jetën, ndërsa rreth 130 syresh janë kthyer prej andej, kryesisht të zhgënjyer me atë me të cilën janë përballur. Mbi 50 veta janë dënuar deri tash për përfshirje në luftërat në Lindjen e Mesme nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve.