Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë, tha të premten se ka arritur në 97 numri i viktimave nga koronavirusi. Në 24 orët e fundit tre persona humbën jetën ndërsa 205 nga 388 të testuar dolën të infektuar.
Sipas institutit, Prishtina me 87 veta ka numrin më të lartë të rasteve konfirmuara në 24 orët e fundit, e pasuar nga 20 komuna të tjera ku rastet janë nga 25 në komunën e Ferizajt, deri nga një rast në Klinë, Malishevë, Mitrovicë e Veriut dhe Suharekë.
Rastet e së premtes mbrëma e çuan në 4 mijë e 512 numrin e përgjithshëm të të infektuarve, nga të cilët deri tani të shëruar janë shpallur 2 mijë e 156 raste, ndërsa 2 mijë e 259 mbeten raste aktive.
Qeveria e Kosovës paralajmëroj mundësinë e vendosjes së masave me të rrepta për luftimin e pandemisë.
Në një komunikatë të qeverisë së Kosovës pas mbledhjes së Komitetit për bashkërendimin dhe vlerësimin e situatës emergjente me koronavirus, thuhet se “meqenëse ditëve të fundit numri i të infektuarve është shtuar së tepërmi, madje duke pasur pasoja të rënda edhe me jetë njerëzish, nga diskutimet e pjesëmarrësve doli se qeveria dhe institucionet e tjera të vendit nuk mund ta përjashtojnë as marrjen e masave më të rrepta të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve”.
Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti i tha të premten në mbrëmje televizionit Klan Kosova se vendi është duke shkuar drejt shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Ai paralajmëroi mbledhjen Këshillit të Sigurisë të dielën për të diskutuar një mundësi të tillë.
Kosova po përballet me gjendjen më të vështirë shëndetësore që nga paraqitja e koronavirusit në mesin e muajit mars.
Që nga 1 korriku, në Kosovë janë regjistruar 46 vdekje si pasojë e infektimit me koronavirus, disa prej të cilave po hetohen nga organet e rendit.
Tashmë ky virus ka prekur edhe një numër deputetësh të parlamentit të Kosovës. Po ashtu, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, njoftoi se është infektuar me koronavirus. Përmes një postimi në rrjetet sociale ai iu ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes maksimal, ndërsa theksoi se “përveç një plogështie, nuk vërej ndonjë shqetësim tjetër shëndetësor. Anëtarët e tjerë të familjes nuk janë të prekur. Ditët në vijim to të jem i izoluar”.
Lexoni edhe këtë Isa Mustafa i infektuar nga koronavirusiMinistria e Shëndetësisë, tërhoqi vërejtjen se përkeqësimi i situatës po rëndon sistemin shëndetësor të vendit.