Kosovë: 108 të infektuar me koronavirus – qeveria miraton paketë emergjente

Autoritetet në Kosovë konfirmuan të martën edhe dy raste të reja të prekurve me virusin COVID-19.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tha se njëri është nga Gjakova dhe ishte në kontakt me familjarët e tij të prekur më herët, ndërsa tjetri nga Prizreni, i cili është infektuar jashtë vendit.

Rastet e sotme e çuan në 108 numrin e përgjithshëm të të prekurve në Kosovë.

Deri tash në Kosovë është regjistruar vetëm një rast vdekjeje nga pasojat e virusit, ndërsa një pacient është shëruar.

Your browser doesn’t support HTML5

Kosovë, rritet numri i të infektuarve me Covid-19

Drejtori i departamentit për informim në ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, tha se aktualisht në klinikën Infektive në Prishtinë janë 40 pacientë nga të cilët, 34 janë në gjendje të qëndrueshme ndërsa 6 prej tyre “kanë nevojë për oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive”.

“Sa i përket stafit të Klinikës Infektive, deri sot ka 3 infermiere të infektuara me Covid-19, prej të cilave dy janë të pranuara në klinikë për trajtim mjekësor, ndërsa njëra është e vet-izoluar në shtëpi”, shkroi ai.

Autoritetet janë vënë në përpjekje për të penguar zgjerimin e infektimit dhe një varg masash që ishin përcaktuar më herët si mbyllja e shkollave, janë zgjatur deri më 6 prill.

Qeveria në detyrë e Kosovës miratoi një “Pakon Emergjente Fiskale” në vlerë prej 179.6 milionë eurosh, për të zbutur pasojat e situatës së krijuar nga pandemia.

Paketa do të mbështesë bizneset, pensionet, skemat sociale, komunat dhe do të sigurojë pagesa shtesë për punëtorët e administratës shtetërore.

Paketa e plotë e qeverisë në detyrë mund të lexohet këtu