Një gjykatë në Prishtinë dënoi me një vit e gjysmë heqje lirie një person që kishte kërcënuar ambasadorin e Kosovës në Francë, i cili kishte shpërndarë një artikull të gazetës “Le Figaro” që për ilustrim kishte përdorur edhe karikaturat e Profetit Muhamed, të publikuara nga revista franceze, Charlie Hebdo.
F.M. akuzohej për veprën penale: shtytje për kryerje të veprave terroriste, pasi që sipas vendimit të gjykatës me 19 tetor të këtij vitit "rreth orës 23:00 përmes rrjetit social “Facebook” në Fushë Kosovë, me paramendim dhe dashje kishte postuar thirrje me përmbajtje kërcënuese ndaj Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Francë", Qëndrim Gashi.
Sipas akuzës që u ngrit më 8 dhjetor, tashmë i dënuari kishte shkruar "shkurt e shqip duhet të vritet Qëndrim Gashi”.
Lexoni edhe këtë Akuzë për kërcënim ndaj ambasadorit të Kosovës në FrancëGjykata vendosi të premten që i dënuari të mbetet në paraburgim deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi, "pasi që pesha e veprës penale, mënyra dhe rrethanat me të cilat është kryer vepra penale, sjellja e tij e mëparshme ku i akuzuari ndiqet penalisht edhe për disa vepra tjera dhe është i dënuar me një aktgjykim të formës së prerë, rrethana këto që tregojnë edhe karakteristikat e tij personale që ekziston rreziku se i njëjti mund të përsërisë vepër penale ose të kryej veprën penale për të cilën është kanosur se do ta bëjë".
Ambasadori i Kosovës në Paris, Qëndrim Gashi, u përball me reagime pasi që shpërndau në rrjetet sociale një artikull të gazetës franceze “Le Figaro” që paraqiste një kronologji të vrasjes së mësuesit francez, Samuel Paty, me 16 tetor, në periferi të Parisit nga një 18-vjeçar, çeçen, i cili më pas u vra nga policia.
Lexoni edhe këtë Ambasadori Gashi: Mëdyshjet zgjidhen me ligj - jo me kërcënimeAmbasadori Gashi, tha atëbotë se mëdyshjet në shoqërinë e Kosovës zgjidhen përmes ligjit dhe jo përmes kërcënimeve e dhunës, ndërsa u bëri thirrje të gjithë atyre që dyshojnë se ai e ka shkelur ligjin - duke shpërndarë në rrjetet sociale një artikull që përmbante karikaturat e Profetit Muhamed të revistës Charlie Hebdo, ta sfidojnë atë në gjykatë.