Kosovë, paraburgim shtetasit të Maqedonisë së Veriut, për terrorizëm

Ilustrim

Një gjykatë në Prishtinë i caktoi të mërkurën masën e paraburgimit prej 40 ditësh një shtetasi të Maqedonisë së Veriut, i arrestuar ditë më parë nën dyshimet për veprën penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste”.

Në vendimin e gjykatës thuhet se i pandehuri, që është identifikuar me nistoret e tij M.I. u dërgua në paraburgim, meqë “mund të bëhej i pakapshëm nga organet e ndjekjes, pasi që i njëjti është shtetas i Maqedonisë së Veriut dhe i njëjti kërkohet nga autoritetet e atjeshme për shkak të veprës penale organizimi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste”.

Ai do t’i nënshtrohet procedurës së ekstradimit.

Mediet lokale e identifikuan të paraburgosurin si si Metin Islami, që ishte pjesë e një grupi prej shtatë personash të dënuar nga autoritetet në Maqedoninë e Veriut për përfshirje në grupet terroriste.

Më 21 mars, një gjykatë në Shkup dënoi të akuzuarit Elmedin Osmani, Ahmed Xhengis, Orhan Zhupani, Bujamin Feta, Ibrahim Shabani dhe Almir Mirtovski me gjashtë vjet heqje lirie dhe Safet Ramadanin me nëntë vjet heqje lirie.