Policia e Kosovës tha se është duke kryer hetime pas njoftimeve se “janë dëmtuar disa gurë të varrezave ortodokse serbe” në komunën e Lipjanit, rreth 20 kilometra në jug të Prishtinës.
Tash për tash nuk dihen hollësi rreth autorëve apo motiveve të mundshme të këtij incidenti i cili nxiti reagimin e serbëve lokal.
Kryetari i komunës së Graçanicës, Sërgjan Popoviç, tha pas një vizite në vendin e ngjarjes se ky incident “është shenjë se serbët nuk janë të dëshirueshëm në komunën e Lipjanit”. Ai tha se banorët lokal serb janë të shqetësuar dhe “tash është mundësi që “institucionet ta ndriçojnë rastin dhe të dëshmojnë se në Kosovë ka më shume njerëz të arsyeshëm sesa të paarsyeshëm”.
Incidenti i dënua nga misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, i cili u kërkoi të gjithë udhëheqësve lokal që të bëjnë thirrje kundër veprimeve të tilla. “Varrezat janë të shenjta për familjet dhe komunitete dhe përdhosja e tyre nxit ndjenja të dhimbshme”, thuhet në reagimin e misionit të OSBE-së, i cili shpreson se policia e Kosovës të ndriçojë sa më parë këtë rast.