Analisti Naim Rashiti nga Grupi i Ballkanit për Hartimin e Politikave, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se publikimi i akuzave ndaj presidentit të Kosovës në këtë periudhë ka krijuar rrethana të reja me pasoja për vendin.
Naim Rashiti: Tani gjykata vjen me këto vendime, e cila ka qenë vazhdimisht në presion edhe ndërkombëtar që të bëjë të ditur punën e vet sepse pesë vite pas miratimit të saj, ende nuk kishte informacione dhe tani do të zhvillohej një debat se çka do të ndodhte në pesë vjet të tjera e kështu me radhë. Kështu që, prokuroria ka vendosur që realisht ta ndërtojë tërë dosjen e gjykatës me një aktakuzë realisht ku thotë “liderët dhe të tjerë” dhe të tjerët besoj që do të jenë shumë komandantë dhe shumë zyrtarë. Siç duket do të jetë një lëndë e madhe, një materie e madhe dhe kështu do të duket procesi i gjykimit të krimeve të pretenduara. Tani kjo vjen në një situatë papritur, e me situata të papritura Kosova po ballafaqohet vazhdimisht, nga viti në vit. Dilema është e madhe për shtetësinë e Kosovës, politikën, si ta menaxhojmë këtë. Ky instrument juridik ndërkombëtar do të mundësojë të lehtësohen këto dyshime mbi Kosovën, mbi UÇK-në, por shtetësinë e saj dhe zhvillimin e saj do ta rëndojë shumë sepse këto gjykime do të zgjasin. Do të duhet tërësisht një qasje e re e Kosovës për ta penguar rënien e imazhit ndërkombëtar edhe më shumë, sepse media ndërkombëtare edhe shumë institucione të tjera evropiane, ndërkombëtare, do ta përdorin jo shpesh në të mirë të Kosovës.
Zëri i Amerikës: Dhe cila duhet të jetë qasja e Kosovës në këtë situatë të vështirë?
Naim Rashiti: Besoj që do të jetë shkundje për pavarësinë sepse do të vendos në pikëpyetje themelin e saj, luftën, lirinë dhe betejën 30 vjeçare për pavarësi. Mirëpo ky është obligim ndërkombëtar i paevitueshëm dhe këtu duhet një politikë e re. Po të kishte qenë Kosova anëtare e OKB-së dhe në procese integruese do të ishte menaxhuar shumë më lehtë. Por, Kosova është gjysmake ndërkombëtarisht, është në një konflikt të hapur e pazgjidhur me Serbinë, një marrëdhënie tepër të rëndë me BE-në dhe brenda saj ende e pazhvilluar. Tani, në këtë situatë nuk do të kemi dialog me Serbinë, nuk do të kemi zgjidhje me Serbinë, sepse do të përdoret për ta dobësuar Kosovën, BE-ja do të jetë edhe më refuzuese ndaj Kosovës dhe zhvillimi i brendshëm do të jetë më i ngadalshëm. Kështu që duhet një qasje strategjike, të prioritizohet zhvillimi i Kosovës krahas zhvillimeve rreth saj dhe zhvillimet rreth saj do të jenë shumë të pafavorshme për një fazë së paku prej disa vitesh, pesë, dhjetë apo pesëmbëdhjetë vite. Nuk do të mbyllet kjo gjykatë për pesë vite, do të vazhdoj shumë dhe tani duhet të jetë një vetëdije e lartë politike e institucionale e vendit që të fokusohemi në zhvillimin në ata parametra ku mund të bëhet më së shumti duke u munduar t’i zgjidhim edhe çështjet e tjera peng. Ideale do të ishte të zgjidhej çështja me Serbinë, të bëhet anëtarësimi i Kosovës në OKB, mirëpo tani kjo është edhe shumë më pak e mundshme se një muaj më herët, një ditë më herët edhe një vit më herët. Do ta shohim më vonë që kemi humbur shumë mundësi, nga perspektiva e Kosovës dhe jo nga perspektiva e Serbisë sepse nuk e dimë a ka qenë Serbia e gatshme. Por nga perspektiva e Kosovës dhe debati i brendshëm, në Kosovë ka pasur reagime, kundërshtime e mospajtime për ta zgjidhur çështjen me Serbinë, ka pasur vullnet politik të hatashëm për ta prolonguar. Tani me prolongimin e këtyre, mos përmbylljen e shtetësisë ndërkombëtare të Kosovës, na kanë kapur kriza të tjera që mund të na i shtyjnë edhe më shumë proceset e shtetndërtimit, kompletimit të statusit ndërkombëtar të Kosovës dhe do të jetë sfidë tmerrësisht e rëndë për identitetin shtetëror politik të Kosovës ndërkombëtarisht.
Zëri i Amerikës: Publikimi ndodhi në prag të takimit në Shtëpinë e Bardhë. A janë të lidhura këto zhvillime?
Naim Rashiti: Po absolutisht, ka kohë që Kosova është bërë peng i një konflikti të vendeve të BE-së ose akterëve të BE-së me SHBA-në dhe dikush e përdori këtë për një moment të caktuar, jo për ta sulmuar Kosovën domosdoshmërisht se lënda apo aktakuza ka qenë në proces, kështu që ajo do të kishte ardhur pas disa muajve, por kryesisht për tu atakuar me SHBA-të dhe Kosova edhe një herë u përdor si levë për këtë konflikt me njëri – tjetrin. Kemi parë edhe në të kaluarën kur EULEX-i ka bërë diçka të tillë, do të jetë e debatueshme shpallja e njoftimit, sidomos për raste të profilit të lartë nuk ka qenë asnjëherë, as Tribunal i Hagës nuk e ka bërë asnjëherë. Përveç në rastet kur njerëzit pretendojnë të ikin, gjykatat ndërkombëtare e bëjnë atë për të alarmuar skenën ndërkombëtare, por Haga asnjëherë nuk e ka bërë. Por, kjo do të ketë pak rëndësi, për pak kohë kjo nuk do të jetë çështje më. Takimi i 27 qershorit ka pasur për qëllim të nisë një fazë intensive të dialogut, jo të arrijë një marrëveshje, ka qenë një takim për të rifilluar procesi i dialogut eventualisht.
Zëri i Amerikës: Dhe kjo i ka dhënë fund?
Naim Rashiti: I ka dhënë fund dhe nuk e shoh se si Kosova në këtë situatë do të kthehet në dialog në këtë konstelacion politik në SHBA apo kudo tjetër.
Zëri i Amerikës: A ishte kjo një goditje edhe për ambasadorin Richard Grenell?
Naim Rashiti: Ishte instrument i përdorur në konflikt kundër njëri tjetrit mes BE-së dhe SHBA-ve, kush kujt nuk ka rëndësi, me rëndësi është që disa akterë brenda BE-së përdorën edhe këtë për ta atakuar procesin e udhëhequr nga SHBA-ja për dialogun, pastaj mbetet të shihet. Dikush e tha në mënyrë metaforike se po festohet diku në BE, jo të gjithë, por nuk çon peshë. Kjo mënyrë, momenti, efekti i 27 qershorit nuk con peshë, as roli i zotit Grenell. Ajo çka është me rëndësi është cka do të ndodhë me Kosovën në pesëmbëdhjetë vitet e ardhshme? Kjo është dilema më e madhe për politikën dhe shoqërinë në Kosovë.
Zëri i Amerikës: Çka do të ndodhë në Kosovë në muajt e ardhshëm?
Naim Rashiti: Unë mendoj që nuk ka hapësirë tjetër që presidenti të jap dorëheqje shumë shpejt, dhe pastaj partitë parlamentare të sillen përgjegjshëm, të menaxhojnë situatën konform rendit kushtetues, të zgjedhin një president të ri apo nëse jo, brenda gjashtë muajsh shkohet në zgjedhje. Në vjeshtë Kosova duhet të përgatitet për menaxhimin e situatave, për vazhdimin e jetës politike institucionale, vazhdimin e zhvillimit, krahas aktakuzave që do të vijnë. Do të vijnë aktakuzat në vjeshtë me shumë siguri tanimë, nuk do të ishin ngritur pa një siguri se do të konfirmohen nga gjykata. Domethënë është një proces tërësisht i ri që bie mbi shpatullat e Kosovës e që ngërthen zhvillime që prekin të kaluarën edhe të ardhmen. Por, institucionalisht, presidenti duhet të jap dorëheqje, partitë parlamentare të zgjedhin një president apo kryetarja e parlamentit të mbetet presidente e përkohshme, pra tani partitë vendosim a do të kemi zgjedhje në vjeshtë apo një president të ri.