Polemikë në distancë ndërmjet kryeministrave Rama e Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ritheksoi të enjten se është përballur me trysni gjatë punimeve të takimit të Berlinit nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Edi Rama, për pezullimin e tarifave ndaj mallrave serbe.

Komentet e tij pasuan shkrimin e një dite më parë të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, i cili hodhi poshtë pohimet e kryeministrit për trysni ndaj tij. Kryeministri Rama nëpërmjet një shkrimi në rrjetin social facebook, tha se "si rregull udhëheqësit nuk i komentojnë në publik bisedat mes tyre e sidomos ato informale, aq me tepër pa rënë dakord paraprakisht dhe lere pastaj t'i shtrembërojnë, duke gënjyer për te dalë "burra te mire" para popullit te tyre, si te ishin duke shitur mish ne pazar".

Ai shkroi se "kancelarja Merkel dhe presidenti Macron, kane nxitur një diskutim informal mbi rifillimin e dialogut dhe i kane kërkuar me shume durim dhe disa kryeministrit Haradinaj jo ta heqë taksen, po thjesht te japë pëlqimin qe taksa te pezullohet përkohësisht, për 6 muaj apo edhe për 4 muaj, duke u zotuar që të hyjnë ne procesin e dialogut Kosove-Serbi ata vete. Ai pohon se i ka sugjeruar kryeministrit të Kosovës në dy momente ta pranoje ketë kërkesë.

Por, kryeministri Haradinaj tha sot pas mbledhjes së qeverisë së Kosovës se gjithmonë do ta tregojë të vërtetën për proceset e bisedimeve me Serbinë pasi që sipas tij kjo është edhe interes kombëtar.

“Kërkesat që të pezullohen tarifat nuk janë të reja edhe pozicionet nuk janë të reja për disa prej atyre që i kanë, njëkohësisht qëndrimi im nuk është i ri pra është i qëndrueshëm, nuk ka ndonjë ndryshim dhe nuk do të ketë, pra nuk ka pse të diskutohet më. Pastaj kjo e kryeministrit (Edi) Rama, për mua shqiptarët edhe të majtë edhe të djathtë janë vëllezërit e motrat e mija dhe ua kam borxh të vërtetën, atë që ka thënë At Zef Pllumi “rrno për me tregu” do t’ua tregoj të vërtetën edhe kur i pëlqen edhe kur nuk i pëlqen dikujt për shkak se jemi në obligim ndaj qytetarëve tanë”, tha kryeministri Haradinaj.

Takimi i së hënës në Berlin, i organizuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, përfundoi me pajtimin që të mbahet një takim i ri më 1 korrik në Paris, por nuk hapi rrugë për rifillimin e procesit të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ishte çështja qendrore e diskutimeve.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se takimi i Parisit është më serioz pasi që do jetë takim dypalësh ndërmjet Kosovës e Serbisë.

“Idetë e kaluara dhe të gjitha ato kanë shtyrë që të ndërrohet formati, pra pikërisht ato diskutime për territore dhe kufij kanë bërë që të largohet dialogu nga formati i mëparshëm dhe të kalohet nga ky format. Nuk po them nga kush e te kush, mendoj që ato tashmë i kalojnë të kaluarës”, tha kryeministri Haradinaj.

Bisedimet u pezulluan në nëntor të vitit të kaluar pas reagimit të Serbisë ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për të vendosur tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe.

Beogradi kërkon heqjen e tyre si kusht për rifillimin e bisedimeve, ndërsa trysnia ndërkombëtare dështoi të bindë kryeministrin Haradinaj për një gjë të tillë.