Të mërkurën në mëngjes, në moshën 85 vjeçare, ndërroi jetë Leze Qena, aktore e njohur për rolet e saj të shumta në teatër, film e televizion.
Leze Qena po vuante nga një sëmundje e rëndë dhe ishte në mjekim në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinë që nga fillimi i muajit mars e deri sot kur ndërroi jetë rreth orës 9 të mëngjesit.
Leze Qena lindi më 1 mars 1935, në qytetin e Prizrenit, ku përfundoi shkollën fillore dhe atë të mesme. Pastaj jetën dhe punën i vazhdoi në Prishtinë ku zhvilloi një krijimtari të gjatë e të pasur artistike.
Ajo ishte shumë e njohur për rolet e saj në projektet si, “Ditari i Lec Pazhecit” (1975), ”Qesh e ngjesh” (1982), “Shkolla e fshatit” (1987), “Familja moderne”(2001-2011), “Kombinati” (2012-2015) dhe shumë të tjera.
Në nderim të jetës dhe veprës së saj parlamenti i Kosovës sot filloi seancën me një minutë heshtje.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke u shprehur ngushëllime familjarëve dhe kolegëve të zonjës Qena, tha se ajo do t’i mungojë tërë Kosovës.
“Leze Qena na ka bërë të qeshemi, të qajmë, të duam teatrin e televizionin, të duam artin e jetën, me dekada të tëra. Lezja do t’i mungojë skenës, televizionit, tërë Kosovës”, shkroi presidenti Thaçi.
Kryetarja e parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani tha se “ikona e skenës teatrore iku. Leze Qena na la bashkë me një bagazh të pasur të krijimtarisë së saj. Lezja jonë do të mbetet në kujtimet tona për nga interpretimi brilant në skenën teatrore e filmike dhe për buzëqeshjen e dashurinë që përçonte tek të gjithë”, shkroi mes tjerash ajo.