Kosovë: Gjashtë viktima në trafik për 24 orë

Policia në Kosovë bëri thirrje për shtim të kujdesit në trafik pasi që të dielën pesë anëtarë të një familjeje humbën jetën në një aksident, ndërsa një grua u shtyp me makinë në një aksident tjetër.

Aksidenti që la pas vetes pesë të vdekur, ndodhi në një fshat të komunës së Suharekës, rreth 60 kilometra larg Prishtinës. Që të pestët ishin anëtarë të një familjeje që jetonin jashtë Kosovës. Ndërsa një grua u shtyp nga makina në komunën e Shtimes rreth 25 kilometra në jug të Prishtinës.

Policia e Kosovës tha se që nga fillimi i këtij viti 58 persona kanë humbur jetën në aksidente trafiku.

Në një përgjigje për Zërin e Amerikës, policia tha se do të “vazhdojë të vëzhgojë dhe të menaxhojë situatën në trafikun rrugor nëpër të gjitha rrugët e vendit dhe aty ku pjesëmarrësit bien ndesh me rregullat në trafik, masa ndëshkuese ligjore, po aplikohen dhe do të aplikohen në vazhdimësi me qëllim të parandalimit të rasteve të aksidenteve në veçanti atyre me fatalitet që po paraqesin shqetësim dhe dhimbje për të gjithë ne dhe për pasojë po kemi humbje të panevojshme të jetëve njerëzore”.

Gjatë këtij viti kanë ndodhur 7324 aksidente trafiku. Aksidentet vazhdojnë të mbeten shqetësim posaçërisht në sezonin e verës kur trafiku ngarkohet për shkak të kthimit të qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit.

Aksidentet në komunikacion janë një nga shkaktarët më të mëdhenj të vdekjeve në Kosovë. Sipas statistikave, që nga viti 2011, si pasojë e tyre kanë humbur jetën afër 900 persona. Autoritetet e rendit bëjnë thirrje tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti drejtuesit e automjeteve, që të jenë të kujdesshëm të respektojnë rregullat e përcaktuara me ligj.