Mbi 400 banorë të disa fshatrave të komunës së Deçanit, rreth 70 kilometra larg Prishtinës, kërkua ndihmën e mjekut gjatë fundjavës me simptoma helmimi.
Ende është e paqartë se çfarë ka ndodhur, por dyshimet e para u hodhën te furnizimi me ujë nga kompania rajonale e ujësjellësit “Hidrodrini”.
Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, kërkoi të hënën nga policia dhe prokuroria që të kryejnë hetime lidhur me situatën e krijuar.
“Është hera e dytë që po përsëritet brenda muajit e njëjta skenë dhe që na ka shtyrë të supozojmë se këto ngjarje edhe mund të jenë të qëllimshme, le të jetë në kompetencën e hetuesisë së shtetit, të cilët tashmë janë duke u marrë me këtë proces”, tha zoti Ramosaj.
Kompania “Hidrodrini” furnizues me ujë të pijshëm, u bëri thirrje qyteatërve të zonës të hënën që të mos e përdorin ujin për pije, deri në kthimin e mostrave të cilat janë dërguar për analiza laboratorike.
“Pas shqetësimeve të shfaqura nga banorët e fshatrave Prejlep, Rastavicë, Irzniq, Gllogjan, Shaptej, Gramaqel, Baballoq, Ratishë dhe Jasiq i ri, ekipet e përbashkëta të ujësjellësit 'Hidrodrini' - njësia Deçan së bashku me personelin e specializuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, gjatë tërë ditës së djeshme e deri mbrëmë vonë kanë marrë mostrat e ujit në fshatrat e sipërshënuar dhe të njëjtat i janë nënshtruar analizës laboratorike”, thuhet në një deklaratë të kësaj kompanie.
Të hënën mbrëma Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tha se janë ende duke u kryer analizat e mostrave të ujit. Drejtori i këtij instituti, Naser Ramadani tha se “mostrat e dërguara në laborator dhe rezultatet nga analizat fiziko-kimike rezultojnë në kufijtë e lejuar në përputhje me parametrat e përcaktuara”, megjithatë po vazhdojnë analizat epidemiologjike për të gjetur shkaktarët.
Ministria e Shëndetësisë u rekomandoi qytetarëve të zonës të mos përdorin ujin nga sistemi rajonal i ujësjellësit deri në njoftimin e radhës.
Kryetari i komunës së Deçanit, më herët të hënën paralajmëroi masa ligjore dhe administrative, nëse vërtetohet që helmimi ishte pasojë e përdorimit të ujit të pijshëm.